Me kërkesë të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në mbledhjen e Qeverisë janë ndarë 203 mijë euro për shoqatat e kategorive të dala nga lufta dhe për Lidhjen e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, raporton Ekonomia Online.
Lidhur me këtë mbështetje financiare, si propozues i kësaj kërkese, ministri i MPMS, Skender Reçica, ka thënë se, kujdesi ndaj vlerave të luftës çlirimtare, respektivisht ndaj ushtarëve çlirimtarë, të cilët na bëjnë̈ krenarë sa herë kujtojmë̈ se liria nuk erdhi vetë, është obligim i yni institucional.
“Prandaj, mbështetja e kategorive të dala nga lufta kërkon përkushtimin tonë, dhe ne tashmë jemi dakorduar bashkërisht me Kryeministrin dhe me përfaqësuesit e shoqatave të dalura nga lufta që përkujdesja ndaj invalidëve të luftës çlirimtare, respektivisht trajtimi mjekësor i tyre me proteza, nga viti i ardhshëm të rregullohet në mënyrë institucionale përmes Institucioneve përgjegjëse Shëndetësore dhe shërbimit spitalor klinike universitar, sikur që jemi dakorduar që mbështetja financiare për shoqatat e dalura nga lufta nga viti i ardhshëm të përfshihet në ligjin për buxhetin e shtetit”, ka thënë ministri Reçica.
Reçica ka thënë se, të ndodhur në situatë pandemie dhe nisur nga nevoja për mbështetje emergjente për kategoritë e dala nga lufta, duhet ndarja e mjeteve financiare në shumën prej 203,000.00 euro: për Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve, Shoqatën e Invalidëve dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së si dhe Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës.
“Ky vendim ka për qëllim përkrahjen financiare të këtyre shoqatave, për shkak të gjendjes emergjente të shkaktuar nga COVID-19 dhe gjendjes po ashtu të rëndë për funksionimin dhe kryerjen e obligimeve të tyre, si dhe mbështetjen për përmirësimin e shëndetit të invalidëve të luftës. Ky fond do të ndahet në kuadër të Fondit për Rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë ministri Reçica.
“Këto mjete do të ndahen si në vijim: 17,000.00 €, do të ndahen për aktivitetet e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve. 34,000.00 € do të ndahen për mbështetje të Organizatës se Veteranëve të Luftës së UÇK-së; 15.000.00 € do të ndahen për mbulimin e shpenzimeve për funksionimin e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së; 125,000.00 do të ndahen për mbulimin e shpenzimeve për proteza për Invalidët e Luftës së UÇK-së, të cilët e ka gjendjen e rëndë shëndetësore dhe kanë nevojë të domosdoshme për to. Po ashtu me qëllim të mbështetjes për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve dhe funksionimin e Lidhjes së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, në kuadër të së cilës funksionojnë 30 Organizata Komunale të Pensionistëve do te ndahen 12,000 euro”.
Ndër pikat e mbledhjes së Qeverisë ka qenë edhe shqyrtimi i propozim-vendimit për t’i propozuar Kuvendit mendimin lidhur me nismën legjislative për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, raporton Ekonomia Online.
Lidhur me ketë ka folur edhe ministri Reçica, i cili ka thënë se krahas kësaj nismë ligjore, ne si MPMS jemi duke punuar shumë në të njëjtët kohë në eliminimin e shumë padrejtësive që janë duke u bërë ndaj pensionistëve tanë.
Reçica ka thënë se, ne paralelisht jemi duke punuar edhe në reformën e sistemit pensional, ku tashmë bashkë me MF jemi duke e negociuar edhe me FMN-në, po ashtu si MPMS tashmë kemi edhe një nismë ligjore, ku edhe për këtë jemi duke negociuar bashkë me FM, më tepër për shkak të rrethanave me pandeminë, pra është fjala për plotësim ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, respektivisht pikat ku ndalojnë njohjen e stazhit të punës të larguarve nga puna dhunshëm nga regjimi serb në vitet 90-99. Gjithsesi, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka thënë se, jam në çdo moment përkrahës i çfarëdo Nismë ligjore që mbështet pensionistët tanë dhe qytetarët në përgjithësi, mirëpo ne si MPMS në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Fondin Ndërkombëtar shumë shpejt do të kemi një dakordësim dhe Ligjin në fjalë, me plotësimet e nevojshme do ta procedojmë për miratim në qeveri e pastaj në parlament.
Vendimet e plota në mbledhjen e Qeverisë:
Me vendimin e parë të miratuar në mbledhjen e sotme, është bërë ndryshimi dhe plotësimi i Programit Legjislativ të viti 2020.
Sipas vendimit të aprovuar, Projektligji i punës dhe Projektligji për pushimin e lehonisë dhe prindëror fuzionohen në një ligj të vetëm i cili do të miratohet deri më 15 dhjetor 2020. Ndërsa shtohet ne Programin Legjislativ për vitin 2020 miratimi i Projektligjit për Ratifikimin dhe amandamentimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore 10.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka dhënë mendimin për tri nisma legjislative të Kuvendit të Kosovës.
Nisma legjislative për Projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave. Mendimi i Qeverisë thekson se kjo nismë nuk arrin të adresojë të gjitha mangësitë e legjislacionit për këtë fushë dhe nuk është në harmoni me legjislacionin në fuqi dhe me legjislacionin e BE-së dhe Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje. Gjithashtu nuk është bërë identifikimi i burimeve të financimit të kostos buxhetore për këtë ligj. Qeveria rekomandon plotësimin e nismës ligjore me rekomandimet e dhëna nga Qeveria dhe shpreh gatishmërinë që të japë kontributin e saj për këtë.
Nisma legjislative për Projektligjin për fshatin Kabash, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dhënë mendimin se kjo nismë duhet analizuar dhe harmonizuar me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës, sepse forma në të cilën është hartuar nisma nuk i shërben qëllimit të projektligjit. Mendimi i Ministrisë së Pushtetit Lokal thekson se mbrojtja, ruajtja dhe promovimi i resurseve natyrore dhe trashëgimisë kulturore janë obligim edhe i pushtetit lokal dhe kjo nismë është në funksion të zhvillimit dhe përmirësimit të kushteve të jetesës në këtë fshat. Departamenti i Buxhetit në Ministrinë e Financave ka vlerësuar se ky Projektligj krijon kosto shtesë në vlerë prej 18 mijë euro në vitet 2021-2023 dhe kjo shumë nuk është planifikuar në projeksionet buxhetore për këto vite.
Qeveria ka dhënë mendimin edhe për Nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.
Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze lidhur me amendamentin Nr.1 të marrëveshjes kornizë për bashkëpunim financiar.
Në mbledhjen e sotme ka marrë miratimin edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore. Shitja apo privatizimi i banesave ne pronësi shoqërore dhe publike ka filluar në vitin 1992 në Kosovë. Me ndërrimin e sistemit kushtetues dhe ndryshimin e rrethanave politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë, çështja është rregulluar me Ligjin për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore miratuar në vitin 2011, sipas të cilit qytetarëve ju është dhënë mundësi që fillimisht brenda afatit dy vjeçar, dhe më pas edhe me vazhdimin tre vjeçar, me qëllim që të gjithë ata që nuk kanë mundur të blejnë banesat, apo iu është pamundësuar blerja në të cilën në mënyrë ligjore e kanë fituar të drejtën banesore. T’u mundësohet blerja e banesës me kushte të përafërta siç është bërë gjatë viteve 1992-99. Meqenëse afatet e përshkruara në këtë Ligj tashmë kanë skaduar dhe gjendja e shitjes së këtyre banesave është e papërfunduar, ndryshimet dhe plotësimet e këtij ligji e zgjasin aftin për shitjen e këtyre banesave edhe për tri vjet, përkatësisht deri në vitin 2023.
Nga kabineti qeveritar është miratuar propozimi i Komisionit Përzgjedhës për rekomandim të kandidatëve për anëtarë të Bordit të Organi Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP). Sipas këtij propozimi, Qeveria e Republikës së Kosovës për anëtarë të këtij Bordi i propozon Kuvendit të Republikës këta kandidatë:
Vjollcë Kurtishaj;
Erëleta Popaj;
Shqipe Hoti;
Ardita Morina;
Bujar Lushaku;
Pranvera Maloku.
Është aprovuar edhe propozimi i Komisionit Përzgjedhës për zgjedhjen e Zëvendësdrejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Qeveria e Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zëvendësdrejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës/AKVP, këta kandidatë:
Sadik Kryeziu;
Milaim Çekaj;
Albiona Maloku;
Arben Krasniqi.
Pas miratimit të Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit, me datën 16.11.2020 dhe pas internalizimit të ish strukturave të ish Ministrisë së Integrimeve Evropiane në kuadër të strukturës organizative të Zyrës së Kryeministrit, është shfuqizuar Vendimi i Qeverisës së Republikës së Kosovës i datës 01.07.2020 për sistemimin e përkohshëm të strukturave të ish MIE-së.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin me të cilin Drejtori i Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim caktohet Koordinator Kombëtar për IPA. Edhe ky vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës është në përputhje me Rregulloren e re për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit, dhe pas internalizimit të ish strukturave të ish-Ministrisë së Integrimeve Evropiane në kuadër të strukturës organizative të Zyrës së Kryeministrit.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe Kornizën e Treguesve për Mbrojtjen e Fëmijëve. Me miratimin e këtyre treguesve, obligohen të gjitha institucionet kompetente për zbatimin e tyre. Zyra e Kryeministrit dhe Zyra për Qeverisje të Mirë do të monitorojnë zbatimin e këtyre treguesve.
Me miratimin e vendimit në mbledhjen e sotme, është ndryshuar dhe plotësuar vendimi për themelimin e Komisionit Ekzekutiv për reformën në fushën e inspektimeve sipas të cilit në përbërje të këtij Komisioni përfshihet edhe një përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e ndërmarrjes publike lokale “Eko-Natyra” në Skenderaj me pronar të 100% të aksioneve nga Kuvendi Komunal i Skenderajt.
Ndërsa vendimi tjetër ka emëruar Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Bifurkacioni” në këtë përbërje:
Faruk Lipovica – Drejtor, kryesues;
Burbuqe Xheladini – anëtare;
Abetare Kurti – anëtare;
Negjmedin Bajrami – anëtar.
Qeverisa e Republikës së Kosovës aprovuar Planin Kombëtar të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë për periudhën 2019-2021. Vendimi obligon Ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit si dhe institucionet tjera kompetente për zbatimin e masave që dalin nga ky dokument. Ky Plan ka për qëllim arritjen e objektivave të politikës shtetërore në fushën e efiçiencës së energjisë, duke përfshirë skemën obligative dhe masat alternative të efiçiencës së energjisë, masat e politikave për efiçiencë të energjisë, kursimet e energjisë të arritura ose të planifikuara për t'u arritur në nivelin e furnizimit, transmisionit, shpërndarjes dhe konsumit final të energjisë, në mënyrë që të përmbushen objektivat kombëtare të efiçiencës së energjisë. Ky dokument gjithashtu përfshin një vlerësim të zbatimit të planit paraprak 2016-2018.
Qeveria ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin për themelimin e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare në Kosovë. Sipas këtyre ndryshimeve dhe plotësimeve, Ilir Gutaj, nga Departamenti për Drejtësi Tranzicionale në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë do të zëvendësojë, Fetnete Ramosajn nga Instituti për Krime të Luftës.
Është aprovuar edhe propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për zgjatjen e mandatit të Grupit të ekspertëve të pavarur për dizajnim të parimeve, skenarëve dhe elementeve të reformës së vetingut në sistemin e drejtësisë. Afati për paraqitjen e raportit të këtij grupi shtyhet deri në datën 15 dhjetor 2020.
Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marr edhe propozimi tjetër i Ministrisë së Drejtësisë për formimin e Grupit Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky grup do të analizojë mundësitë e themelimit të këtij instituti si dhe do të identifikojë praktikat më të mira krahasuese me elementet dhe specifikat që mundë të përfshihen në rastin e Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës i ka propozuar Kuvendit të Kosovës listën e kandidatëve për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare si në vijim:
Bahri Anadolli - Kryetar;
Hazir Hajdari – anëtar;
Mark Buzhala – anëtar;
Iliriana Berisha – anëtare;
Faruk Rexhaj – anëtar.
Është miratuar edhe Projektligji për Lotarinë e Kosovës i cili rithemelon Lotarinë e Republikës së Kosovës, si suksesor juridik i Lotarisë së Kosovës sh.a. e cila është mbyllur me Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit. Me këtë Projektligj synohet rregullimi, organizimi dhe funksionimi i Lotarisë së Republikës së Kosovës, llojet e lojërave, kushtet dhe mënyrën e organizimit, rregullat dhe mbikëqyrjen e tyre si dhe mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave nga lojërat e fatit të lotarisë.
Qeveria ka aprovuar edhe kërkesat e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Luftë së UÇK-së, Shoqatës se Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe Lidhjes së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Republikës së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në vlerën prej 203,000.00, nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike.
Mjetet ndahen si vijon:
17,000.00 euro, transferohen në Shoqatën e Familjes se Dëshmorëve të Luftë së UÇK-së;
34,000.00 euro transferohen në Organizatën e Veteranëve të Luftë së UÇK-së;
15,000.00 euro transferohen në Shoqatën e Invalidëve të Luftë së UÇK-së;
125,000.00 euro transferohen në Shoqatën e Invalidëve të Luftë së UÇK-së, për mbulimin e shpenzimeve për proteza të Invalidëve te Luftës së UÇK-së
12,000.00 euro transferohen në Lidhjen e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Republikës së Kosovës.
Në arsyetimin e ndarjes së këtyre mjeteve thuhet se gjendja emergjente e shkaktuar nga COVID-19 dhe gjendja e rëndë për funksionimin e rregullt të organizatave të lartpërmendura dhe me qëllim të lehtësimit në kryerjen e obligimeve të tyre janë aprovuar kërkesat e këtyre organizatave dhe do të mbulohen nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike.