Arbëri

Qeveria miraton koncept-dokumentin për vettingun

Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept dokumentin për zhvillimin e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë.

Ky dokument ka marrë votat e mjaftueshme për miratim në mbledhjen e mbajtur sot në Qeveri.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se grupi punues i themeluar nga Ministria e Drejtësisë kanë hartuar koncept-dokumentin dhe kanë propozuar metodologjinë e mbarëvajtjes së procesit të vettingut.

“Grupi punues ka propozuar si mundësi të dytë realizimin e vettingut përmes ndryshimeve ligjore. Vettingu do të bëhet përmes një mekanizmi të pavarur. Fazë e parë e vettingut do të mbulojë vlerësimin e këshillit Gjyqësor e Prokurorial, zyrën e Prokurorit të shtetit e të Gjykatës Supreme dhe pozitave të larta”, ka thënë ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se pas votimit të këtij dokumenti si MD menjëherë do të formojnë grupin punues i cili do të përgatisë ndryshimet kushtetuese të cilat do i përcjellën kuvendit.

“Paralel me këtë do të ftoj të gjitha grupet parlamentare për ndërtimin e konsensusit. Mekanizmi i vettingut do të ketë në mandat të tij verifikimin e integritetit moral profesional e të kontrollit të pasurisë. Planifikohet që i gjithë ky proces te nis vitin e ardhshëm dhe të përfundoj brenda periudhës 5 vjeçare”, ka thënë ajo.