Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria merr katër vendime që lidhen me shëndetësinë

Katër vendime ka marrë Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 49-të, të mbajtur të mërkurën në mëngjes. Të gjitha vendimet lidhen me shëndetësinë.

Vendimi i parë ka qenë miratimi i propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë për transferimin e 527 mijë eurove nga projekti i ndërtimit të objektit të Spitalit në Ferizaj në projektet për pajisje mjekësore për Departamentin e Mikrobiologjisë dhe Laboratorët Testues dhe në shërbimin shëndetësor të burgjeve.

Po ashtu është autorizuar Ministria e Shëndetësisë për nxjerrjen e një rregulloreje për kushtet e kompensimit dhe procedurat e tjera të angazhimit të përkohshëm të profesionistëve shëndetësorë. Sipas njoftimit, “kërkesat në rritje për angazhimin e profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID-19, për shkak të mbingarkesës me pacientë të infektuar me COVID-19 dhe infektimit të profesionistëve shëndetësorë me COVID-19, është e domosdoshme të nxirret Rregullorja për kushtet, kompensimin, dhe procedurat tjera për angazhimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësor dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID – 19”.

Vendimi tjetër ka qenë autorizimi i pagesës së avancit 100 për qind, në vlerë prej gati tetë milionë eurosh për furnizim me pajisje mjekësore për luftimin e COVID-19. Avanci bartet në vitin e ardhshëm fiskal dhe mbetet i hapur në afat prej shtatë muajsh. Sipas njoftimit, vendimi ia mundëson MSH-së që të ndërmarrë të gjitha procedurat e nevojshme ligjore për zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim Lidhur me Financimin e Projektit Emergjent Covid-19 për Kosovën, që është bazuar në Marrëveshjen në mes MSH-së dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS).

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për nisjen e negocimit mes Kosovës dhe Qeverisë së Luksemburgut për Projektin e Bashkëpunimit për Zhvillim; Programi për Mbështetjen e Shëndetësisë në Kosovë, (Faza II).