Qeveria e Kosovës ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një metodologjie për zbatimin e neni 7 të Marrëveshjes së Brukselit, ashtu siç ka propozuar emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në Zyrën e Kryeministrit kanë deklaruar se nuk mund të ndërtohet një metodologji për zbatimin e pikës që flet për “vetëmenaxhimin e serbëve”, pa pasur një plan të dakorduar për zbatimin në tërësi të Marrëveshjes së Brukselit
Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër adaptimit të një metodologjie për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes së Brukselit, kërkesë kjo të cilën e ka prezantuar emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Teksa kanë treguar dokumentet që u janë prezantuar nga Lajçaku, në zyrën e kryeministrit Albin Kurti kanë thënë se nuk mund të ndërtohet metodologji për zbatimin e njërës prej pikave, pa pasur një plan të dakorduar për zbatimin në tërësi të Marrëveshjes.
“Z. Lajçak ka prezantuar disa dokumente apo propozime. Një për sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike, pra të të gjithë marrëveshjes, një për Draftin e Termeve të Referencës së Komitetit Monitorues të Përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, një tjetër për Komitetin Monitorues për zbatimin e Deklaratës për të Zhdukurit me dhunë dhe një metodologji të zbatimit të nenin 7 të Marrëveshjes, por jo draftstatut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. “Për këtë të fundit, qëndrimi ynë ka qenë se nuk mund të ndërtojmë metodologji për zbatimin e një prej pikave të Marrëveshjes, pa pasur një plan të dakorduar për zbatimin e plotë dhe në tërësi të Marrëveshjes, sikurse edhe parasheh Aneksi i Zbatimit i dakorduar në Ohër. Për këtë arsye kjo metodologji e propozuar nuk është diskutuar fare në takimin e së hënës”.
Lidhur me këto dokumente ka folur edhe kryenegociatori serb Petar Petkoviq, i cili ka thënë se Serbia dhe BE-ja kanë paraqitur propozime konkrete për Asociacionin dhe për të zhdukurit, teksa ka shtuar se Bislimi kërkoi më shumë kohë.
“BE-ja ka dalë me propozime për hartimin e statutit të Asociacionit, me veprime për çështjen e personave të pagjetur dhe planin e punës së Komisionit, i cili monitoron të gjithë procesin e zbatimit. Në vend që të jetë tema se si të vazhdohet tutje, Bislimi erdhi dhe tha se do t’i dërgojë propozimet për shtatë ditë”, ka thënë Petkoviq për mediat serbe.
Por në Zyrën e Kryeministrit kanë deklaruar se zëvendëskryeministri Bislimi në deklarimin e 15 majit u është referuar dy dokumenteve – atij për Termet e Referencave për Komitetin Monitorues të Marrëveshjes Bazë dhe për Komitetin Monitorues për zbatimin e Deklaratës për të Zhdukurit me dhunë.
Lidhur me këto dokumente, sipas zëdhënësit Kryeziu, Kosova do t’i japë komentet e saj deri në ditën e premte.
Në pyetjen se cili është modeli që Qeveria do ta prezantojë në takimin e radhës, Kryeziu ka përmendur draftvizionin e kryeministrit Kurti.
“Kryeministri Kurti ka prezantuar vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazike të inspiruar nga modeli kroat i Këshillit Nacional të Serbëve (SNV) atje, për të cilin model besojmë që është referenca e duhur për rrugën përpara dhe në përputhje me nenin 7 të Marrëveshjes Bazike”, ka thënë ai.
Vizioni i prezantuar nga kryeministri Kurti bazohet në modelin e Këshillit Nacional të Serbëve në Kroaci. Sipas faqes zyrtare, Këshilli “është organ politik, këshillues dhe koordinues i zgjedhur në mënyrë demokratike që vepron si vetëqeverisje e serbëve në Republikën e Kroacisë lidhur me çështjet e të drejtave të tyre civile dhe kombëtare, si dhe çështjet e identitetit, pjesëmarrjes dhe integrimit të tyre në shoqërinë kroate”.
Këshilli Kombëtar Serb është themeluar në bazë të Marrëveshjes së Erdutit dhe letrës së Qeverisë së Republikës së Kroacisë për përfundimin e riintegrimit paqësor të zonave të populluara më shumicë serbe
Pas miratimit të Ligjit Kushtetues për të Drejtat e Pakicave Kombëtare në vitin 2002, u ndryshua edhe struktura organizative e këshillave të pakicave etnike. Anëtarët e këshillave zgjidhen me votim të fshehtë, në zgjedhjet që organizon shteti kroat, në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale, ku popullsia serbe e kalon pragun prej 1,5 për qind. Deri tash janë mbajtur katër palë zgjedhje – në vitin 2003, 2007, 2011 dhe 2015. Në nivel komunal, këshilli zgjidhet nëse në atë pjesë jetojnë së paku 200 anëtarë të komunitetit serb.
Gatishmërinë që Kosova të ofrojë modele të tjera rreth Asociacionit e ka shprehur edhe presidentja Vjosa Osmanit. Sipas saj, grupe ekspertësh po punojnë tash e një kohë të gjatë që dhjetë parimet e propozuara si draft-vizion më 2 maj në Bruksel të bëhen dispozita konkrete kushtetuese dhe ligjore. Kurti e Osmani, po ashtu, e kanë kritikuar BE-në për kërkesa që shkojnë përtej asaj që është dakorduar në Bruksel e Ohër, duke iu referuar “parakushtit” për themelimin e Asociacionit para se të zbatohen pikat e tjera.
Të hënën në Bruksel u mbajt rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, edhe pse, sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash. Në zyrën e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi nuk kanë komentuar lidhur me dokumentet e propozuara e as modelin e ofruar nga Kurti.
Pas takimit Bislimi-Petkoviq, ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se synimi ishte qartësimi i pyetjeve të hapura duke paralajmëruar se diskutimet do të vazhdojnë.
Neni 7 për të cilin insiston Brukseli flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, që, sipas tyre, nënkupton themelimin e Asociacionit.
“Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës”, thotë neni i Marrëveshjes.
Që prej arritjes së dakordimit rreth Aneksit në Ohër, është bërë nënshkrimi i Deklaratës për të zhdukurit nga lufta e fundit, për zbatimin e së cilës do të themelohet edhe një komitet monitorues.