Arbëri

Qeveria kritikohet se me nismat ligjore po tenton ta kapë shtetin

Në diskutimin e organizuar të martën nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me temën “Reforma në Administratën Publike”, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka akuzuar Qeverinë se me Ligjin për zyrtarët publikë po tenton ta kapë shtetin.

Në tryezën e organizuar në kuadër të “Javës kundër korrupsionit”, me panelistë nga partitë politike dhe nga shoqëria civile, Qeveria u akuzua për shumicën e nismave të fundit.

“Tash kemi një qeverisje e cila don me kapë shtetin me ligj, Ligji për zyrtarë publikë e ka emrin ligji për kapjen e zyrtarëve publik, 1600 pozitave udhëheqëse në administratën shtetërore me qet ligj iu prehen kamtë”, tha Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së.

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka paralajmëruar se do ta dërgojnë në Kushtetuese Ligjin për zyrtarë publikë dhe atë për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil.

“Ligji për zyrtarët publikë është një antikushtetues që ua ndërpret mandatin përmbi 1600 zyrtareve të nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues në mënyrë totalisht jokushtetuese, njerëzit kan aktemërime të përhershme. Nuk mund t’i ndërpresësh mandatin ne atë mënyrë është shkelje e të drejtave të njeriut”, tha Gruda.

Mikaela Gronqvist nga Zyra e BE-së në Kosovë, ka deklaruar se digjitalizimi i shërbimeve në administratën publike është i rëndësishëm në parandalimin e korrupsionit.

“Zvogëlimi i barrës administrative bashk me digjitalizimin është një mjet i mirë i parandalimit të korrupsionit, sepse shmanget kontakti sy me sy, kur është e mundur të bëhet në mënyrë të sigurt”, tha Gronqvist.

Për planin për digjitalizim të shërbimeve ka folur Kushtrim Canolli, nga Zyra e Kryeministrit.

“Eliminimi i atyre aspekteve ku zyrtari takohet me palën, kjo bëhet vetëm përmes digjitalizimit. Në të gjitha shtetet që i kemi analizu gjithmonë ka shku thjeshtimi para digjitalizimit. Mirëpo, tek ne meqenëse thjeshtimi ka rezistencë të madhe jo vetëm nga zyrtarët por edhe nga jashtë në këtë rast ne e kemi bërë reversë, kemi thënë digjitalizimi e motivon thjeshtimin”, tha Canolli.

Gzim Shala nga IKD-ja ka shprehur shqetësimet lidhur me vendimin e Qeverisë për ulje të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky vendim, sipas Shalës, është joligjor dhe kundërkushtetues.

E Naser Shamolli nga GLPS-ja ka bërë thirrje për kujdes gjatë hartimit të Ligjit për Reformën në Administratën Publike, pasi, sipas tij, pasojat e këtij ligji mund të jenë të mëdha.

Tryeza “Reforma në Administratën Publike”, u organizua në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2022”, që nisi të hënën.