Është paralajmëruar se Projektligji për Zyrtarë Publikë mund të dërgohet sërish në Gjykatën Kushtetuese nëse në Kuvend ndryshohet përmbajtja e këtij dokumenti, që është proceduar një ditë më parë nga Qeveria. Përfaqësues të PDK-së dhe ata të AAK-së thanë se Qeveria po synon që ta kapë administratën publike
Dërgimin e sërishëm të projektligjit për Zyrtarë Publikë në Gjykatë Kushtetuese e paralajmëruan përfaqësues të partive opozitare një ditë pasi Qeveria ia dha miratimin në një mbledhje elektronike.
Në konferenca të ndara shtypi, zyrtarë të PDK-së dhe të AAK-së shprehën vërejtjen në Qeverinë se nuk i ka adresuar shkeljet e evidentuara më herët nga Kushtetuesja, që i rrëzoi dhjetë nene të saj.
E me miratimin e projektligjit pa konsultim publik, ata thanë se qeverisja aktuale po e synon kapjen e administratës publike.
“Nëse ky ligj kalon në Kuvend në formën siç është miratuar në Qeveri, PDK-ja do ta çojë këtë rast në Gjykatën Kushtetuese dhe ne jemi të bindur se kjo do të shpallet jokushtetuese, sepse është thjesht dhe vetëm mosimplementim i një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese që është në fuqi”, ka thënë Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së.
Kritik është treguar edhe kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Është tragjike për një shtet që synon anëtarësimin në BE që përmes një procesi ligjor jotransparent, jokonsolidues të synohet kapja, politizimi dhe partizimi i administratës së shtetit. Ne këtë nuk do ta lejojmë. Dera e fundit është Gjykata Kushtetuese dhe për këtë do të marrim veprime”, ka thënë ai.
Si një prej tendencave për kapje të administratës publike, Tahiri i AAK-së përmendi zgjatjen e afatit deri në dy vjet për ushtrues të detyrës.
“Kjo Qeveri do të mbahet mend për numrin më të madh të ushtruesve të detyrës. Një ushtrues i detyrës, sekretar i përgjithshëm apo drejtor, determinohet me një email dhe shkarkohet me një email, që nënkupton, ai ose ajo gjithmonë është nën presionin politik për korrupsion, për tenderë, për punësim, nepotizëm e klientilizëm”, ka theksuar Tahiri.
E këtë Gruda e kualifikoi si përpjekje të partisë në pushtet për, siç tha, mbushjen e administratës me militantë të saj.
“Kjo është një tendencë e qartë e Qeverisë për të shmangur zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe për të hapur rrugë mbushjes së administratës së shtetit me militantët partiakë, siç ka ndodhur fatkeqësisht gjatë këtyre tre vjetëve të qeverisjes”, ka thënë ai.
Ligji për Zyrtarët Publikë u pat dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga PDK-ja e LDK-ja më 30 dhjetor të vitit 2022, një javë pas miratimit.
Përfaqësues të këtyre dy subjekteve patën vlerësuar se Ligji përmban shkelje kushtetuese dhe se për synim ka nënshtrimin e administratës publike ndaj pushtetit.
Shtatë muaj më vonë, Kushtetuesja i shpalli të pranueshme ankesat dhe vërejtjet e tyre.