Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria kërkon përjashtimin e gjyqtares që vendosi për padinë e Rashit Qalajt

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Joobjektive e ka cilësuar Qeveria e Kosovës gjyqtaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Saranda Bogaj-Sheremeti, e cila vendosi ta bllokojë zgjedhjen e drejtorit të Policisë së Kosovës pas padisë së ish-drejtorit Rashit Qalaj.

Qeveria e ka deponuar të hënën në Gjykatën e Apelit ankesën për këtë vendim të Themelores.

Qeveria ka kërkuar që të përjashtohet nga rasti gjyqtarja e cila vendosi që të pezullohet konkursi për drejtor të ri të policisë, derisa gjykata të vendosë për padinë e Qalajt. Në padi ai është ankuar se Qeveria ka shkelur procedurat në procesin e shkarkimit të tij.

Në 13 faqe, Qeveria e Kosovës e ka përmbledhur ankesën drejtuar Apelit. Ajo e ka vlerësuar vendimin e Themelores si tendencë për t’ia ruajtur vendin e punës ish–drejtorit dhe se kjo, siç thuhet në ankesë, do ta cenonte interesin publik dhe zinxhirin komandues. Një argument tjetër i Qeverisë është raportimi në një portal nga burime anonime para se të mbahej seanca, se Themeloja do të vendoste pro Qalajt.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi, nuk u është përgjigjur telefonatave të KOHËS për këtë çështje, e gjyqtarja Bogaj-Sheremeti ka qenë e paqasshme.

Dhjetë ditë më parë, Gjykata Themelore vendosi për masën e sigurisë kërkuar nga ish-drejtori Qalaj deri në përfundimin e procedurës gjyqësore për rastin e tij me aktgjykim të formës së prerë.

Edhe Qalaj zgjeron padinë, më 20 janar seancë për bllokimin ose jo të konkursit për drejtor të Policisë Arbëri Qalaj zgjeron padinë, më 20 janar seancë për bllokimin ose jo të konkursit për drejtor të Policisë

Kryeministri Hoti e shkarkoi Rashit Qalajn nga pozita e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë më 16 tetor, një javë pasi Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë në Pejë, e arrestuan kryetarin e Istogut, që është edhe nënkryetar i LDK-së, Haki Rugova.