Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka sqaruar qëndrimin e institucioneve të Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë brenda territorit të Kosovës, pak pasi nga Bashkimi Evropian u shprehën se Kosova ka refuzuar propozimin e shteteve të QUINT-it.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u shpreh të martën se BE-ja shpreh keqardhje për atë që e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi”. Ai po ashtu ka thënë se Serbia ka luajtur rol konstruktiv në arritjen e një marrëveshje, ndërsa Kosova ka refuzuar.
Në raportimin në Komisionin për Integrime Evropiane, zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se ka pasaktësi në konstatimin e zëdhënësit të BE-së.
“Mendoj që ka pak pasaktësi në konstatim. Ne nuk kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është jokushtetuese, por kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa aprovim të institucioneve të Kosovës, është jokushtetuese. Ne mendojmë që në të kaluarën dhe për këtë ka pajtim dhe konsensus të përgjithshëm edhe brenda vet QUINT-it, zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk kanë qenë kushtetuese deri më tani”, ka thënë Bislimi, raporton KP.
Lidhur me modelin që është propozuar nga shtetet e QUINT-it, Bislimi ka deklaruar se ka qenë një përpjekje për të shmangur shkeljet kushtetuese që janë bërë në të kaluarën gjatë mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Edhe
Kurti takon përfaqësuesit e QUINT-it: Për mbajtjen e zgjedhjeve duhet marrëveshje ndërshtetërore
“Përpjekja e shteteve të QUINT-it ka qenë që të gjendet një modalitet i cili tejkalon atë shkelje kushtetuese që ka ndodhur përpara. Tash jemi me datë 22 mars dhe 3 prilli është pas 11 ditësh, dhe Qeveria e Kosovës nuk ka mundur ta trajtojë një kërkesë që nuk ka ardhur nga Qeveria e Serbisë”, ka theksuar Bislimi.
Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese. Vendet e Quint-it dhe BE-ja e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës për këtë referendum.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.
Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.
Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.
Edhe
Bislimi i kundërpërgjigjet Stanos: Pa kërkesë zyrtare nga Serbia, s’ka zgjedhje serbe në Kosovë
Të hënën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi me “pasoja afatgjate” Kosovën nëse s’lejon organizimin e zgjedhjeve më 3 prill”.