Ekspertë të gjeografisë e të së drejtës ndërkombëtare kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të nisë përgatitjet lidhur me faktet të cilat nevojiten për procesin e demarkimit të kufirit me Serbinë. Ndonëse janë të vetëdijshëm se një gjë e tillë ka ende kohë që të bëhet, ata thonë se Kosova duhet të mësojë nga përvojat e kaluara lidhur me çështje të tilla. Nga Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar nëse janë duke planifikuar një gjë të tillë
Qeveria e Kosovës ka zgjedhur të heshtë lidhur me planet e saj për përgatitjet për shënjimin e kufirit me Serbinë. Pyetjeve të KOHËS, lidhur me qëndrimin e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti nuk i janë përgjigjur nga zyra e tij.
Ndonëse thonë se kjo temë do të hapet pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve, njohësit e këtyre proceseve bëjnë thirrje për nisje sa më parë të përgatitjeve.
Ish-anëtari i komisionit shtetëror për shënjimin e kufirit, e profesori i gjeografisë, Florim Isufi, thotë se përgatitjet paraprake do ta ndihmonin Kosovën në ballafaqimin e saj me Serbinë.
“Sa i përket përgatitjes së komisionit dhe mbledhjes së fakteve, grumbullimit të tyre, ndërtimit të një strategjie në lidhje me demarkimin, jemi vonë”, ka theksuar Isufi.
Ai ka bërë thirrje për funksionalizimin sa më të shpejtë të komisionit shtetëror për shënjimin e kufirit, derisa ka theksuar nevojën që pjesë e tij të jenë profesionistët.
Kurse profesori i së drejtës ndërkombëtare, Besfort Rrecaj, thotë se Kosova duhet të marrë mësim nga përvoja e kaluar me demarkimin e kufirit.
“Ne do të duhej që të përgatitemi sa më herët që është e mundshme. Qysh tani ne do të duhej të kishim koncepte të qarta në atë se cilat do të jenë ato evidencat, ato dëshmi që më së miri e pasqyrojnë atë vijën kufitare që e paraqet Kosovën në kufijtë e Kosovës”, ka thënë Rrecaj.
Në qershor të vitit të kaluar, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës prezantoi një publikim, në të cilin, ndër tjerash, dha edhe rekomandime për mënyrën se si institucionet duhet t`i qasen dialogut me Serbinë.
Demarkimi i kufirit me Serbinë është një nga to. Sipas këtij publikimi, në marrëveshjen përfundimtare duhet të përcaktohet obligimi për t`u bërë një shënjim i tillë në bazë të Pakos së Ahtisaarit e Kushtetutës së Kosovës.
Në një proces të shënjimit të kufirit, Kosova ka kaluar edhe vite më parë. Përkundër ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, tri vjet më parë, puna në terren nuk ka përfunduar, meqë sipas kësaj marrëveshjeje është paraparë që të dy shtetet të rishikojnë vijnë kufitare e të bëjnë përmirësimet e nevojshme, në rast se ka nevojë për një gjë të tillë. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje u pat kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje e cila në atë kohë ishte në opozitë.