Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria fton viktimat e dhunës seksuale të aplikojnë për statusin që u takon

Foto: Alban Bujari / KOHA

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka ftuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë që të aplikojnë për statusin që ju takon. Në konferencën “Progresi dhe sfidat e procesit të njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, Hoti ka thënë se çështja e dhunës seksuale ka mbetur ende pa u trajtuar si duhet në Kosovë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar që procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ta mbështesë, në mënyrë që viktimat ta ndjejnë mbështetjen e shtetit të tyre”, ka thënë ai. “Kjo dhunë padyshim është plagë e rëndë për të gjithë ne, për shoqërinë e Kosovës, e cila ka mbetur ende pa u trajtuar si duhet dhe pa u trajtuar plotësisht. Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës meritojnë mbështetjen e plotë tonën, të familjes, të shoqërisë dhe të gjitha institucioneve relevante. Sot, ne si shtet dhe si shoqëri jemi të përkushtuar për të njohur dhunën dhe vuajtjet e viktimave seksuale gjatë luftës dhe mbi të gjitha për të siguruar drejtësi për këto viktima. Unë dua të siguroj që Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar që procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ta mbështesë në mënyrë që viktimat ta ndjejnë mbështetjen e shtetit të tyre”.

Hoti ka thënë se Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës ka bërë punë të madhe që nga themelimi më 2017.

“Jemi të vetëdijshëm që kjo shumë nuk është e mjaftueshme duke marrë parasysh vuajtjet e tyre, por, besoj që është një dëshmi që shteti i Kosovës ua njeh këto vuajtje dhe i respekton këto viktima. E kuptoj që procesi i njohjes dhe i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është i vështirë, duke marrë parasysh kohën e cila ka kaluar deri më tani, por unë besoj shumë në përkushtimin e anëtarëve të Komisionit dhe gjithë mekanizmave tjerë të përfshirë në këtë proces, në mënyrë që kjo çështje të përmbyllet sa më parë”, është shprehur më tej Hoti. “Ne kemi nevojë si shoqëri që të shërojmë këtë plagë duke u përballur me këtë, duke mos harruar asnjëherë për atë që ka ndodhur. Besoj thellë që kjo dhimbje mund të përballohet përmes kurajos për të demaskuar dhunuesit dhe për të ditur të vërtetën, si dhe për ta bërë të njohur këtë të vërtetë para botës së civilizuar”.

“Unë sot i ftoj të gjithë personat që kanë qenë viktima të këtij krimi të tmerrshëm të luftës, që të aplikojnë për të fituar statusin dhe ftoj gjithë shoqërinë tonë që të mbështesin këtë proces, sepse turpi nuk është i viktimave të krimit, por i atyre që kanë kryer këto krime”, ka thënë Hoti.

Në anën tjetër, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se në Draft-Kodin e Procedurës Penale është paraparë dispozita për gjykimin në mungesë më qëllim të mundësimit të hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës që kanë të bëjnë edhe me dhunën seksuale gjatë luftës.

Edhe Mijëra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në pritje të drejtësisë Arbëri Mijëra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në pritje të drejtësisë

“Përmes këtij draft kodi, në harmoni të potë me standardet evropiane, janë bërë ndryshimet e nevojshme të cilat kanë paraqitur probleme në praktikë duke shënuar një hap përpara në reformimin e drejtësisë në Republikën e Kosovës, për çka kemi marrë edhe konfirmimin nga Komisioni i Venecias, se dispozita që mundëson ndjekjen, hetimin dhe gjykimin në mungesë është në pajtim me standardet ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Selimi ka shtuar se për këtë çështje s’duhet të bëhet politikë. Ai ka kërkuar që çështja e viktimave të dhunës seksuale duhet të jetë edhe në dialog.