Qeveria dhe as BE-ja nuk kanë zbardhur detajet e marrëveshjes të së hënës, për hapat e barë në funksion të shtensionimit të situatës në veri. Por, njohës të zhvillimeve politike thonë se nëse në takim Kosova ka pranuar planin e BE-së, e të cilin e ka refuzuar para se të viheshin masat, atëherë nga zyrtarë shtetërorë duhet të kërkohet përgjegjësi.
Një ditë pas dakordimit që Kosova dhe Bashkimi Evropian arritën për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri, asnjëra nga palët nuk i bënë të ditura detajet.
Njohës të zhvillimeve politike e shohin si hap drejt shtensionimit të situatës në veri, takimin në Bratislavë, ndërmjet emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Profesori Dritëro Arifi thotë se nëse në takim Kosova ka pranuar planin e BE-së për shtensionim të situatës, e të cilin e ka refuzuar para se të viheshin masat, atëherë nga zyrtarë shtetërorë duhet të kërkohet përgjegjësi.
“Qeveria e Kosovës duhet të ripozicionohet më ndryshe, më mirë, më hapur dhe me më shumë përgjegjësi. Dikush duhet të marrë përgjegjësi se pse kemi marrë sanksione, dikush duhet të shkojë në shtëpi për këtë çështje. Sepse sanksionet nuk vendosen kot dhe nuk hiqen kot. Dikush duhet ta marrë përgjegjësinë ose kryeministri ose zëvendësi i tij pasi është shumë i adhuruar pas marrëveshjeve që e proklamojnë tërheqjen”, tha Arifi
E analisti Gazmir Raci thotë se në dakordimin për ndërmarrjen e hapave fillestarë ka ndikuar samiti i shteteve anëtare të BE-së, javë më parë. Ai e vlerëson pozitiv këtë zhvillim.
“Me rëndësi është që palët po i rikthehen dialogut dhe unë pres që pas kësaj faze të shkohet drejt zbatimit të planit franko-gjerman dhe të mos vazhdohet më tutje me dialog teknik”, theksoi Raci.
Të hënën mbrëma, pas takimit në Bratislavë, Lajçak e Bislimi, thanë se janë dakorduar edhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.