Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria aprovon shpronësime në Drenas për realizimin e 4 projekteve

Foto: Ilustrim

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës ka aprovuar disa shpronësime me, siç ka thënë ai, interes publik të pronave të paluajtshme, për nevoja të disa projekteve.

Lladrovci, përmes një postimi në Facebook, tha se ky është një lajm i mirë dhe ka falënderuar Qeverinë “e cila ka miratuar kërkesën tonë për shpronësime me interes publik të pronave të paluajtshme për nevojat e disa projekteve”.

Projektet kanë të bëjnë me zgjerimin e Zonës Ekonomike në Drenas, Koreticë e Epërme, pastaj me ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza dhe industriale të Parkut të Biznesit dhe Kanalizimit të fshatit Koreticë e Epërme dhe Zabel i ultë, për ndërtimin e lokacionit të Tregut të kafshëve, në Çikatovë të re, si dhe ndërtimin e lokacionit në Zabel të Ultë për varreza, raporton Koha.net.

“Në Vendimin e nënshkruar nga Kryeministri, kompensimi i pronave caktohet nga Ministria e Financave, konform ligjit për Shpronësimin e pronës së paluajtshme. Kompensimi i pronave, shpenzimet e procedurës së shpronësimit dhe vlerësimit do të bëhen nga komuna e Drenasit në koordinim me Ministrinë e Financave, Qeverinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit, konform ligjit në fuqi”, ka shkruar Lladrovci.

Artikuj të ngjashëm