Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) ka njoftuar se ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, me të cilën ka kërkuar anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë për emërimin e drejtorit të përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP). CSL-ja po ashtu ka kërkuar pezullimin e zbatimit të tij.
Sipas CSL-së, vendimi i Qeverisë në detyrë është përcjellë me shkelje kushtetuese dhe paligjshmëri si në aspektin procedural ashtu edhe material e të cilat thuhet se kanë cenuar të drejtat e punës për paditësen.
“Njëra nga shkeljet më të mëdha të identifikuara dhe argumentuara në padi është se vendimi për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të IKAP-it është marrë sipas propozimit dhe miratimit nga kryeministri dhe ministrat në detyrë të cilët mbajnë njëkohësisht edhe pozitën e deputetit/es “, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu janë renditur edhe disa shkelje të tjera ligjore të cilat, sipas CSL-së, e bëjnë të paligjshëm vendimin.
Nga Gjykata është kërkuar që pas shqyrtimit gjyqësor të çështjes, të nxjerrë aktgjykim me të cilin aprovon në tërësi padinë dhe anulon vendimin e Qeverisë në detyrë për emërimin e drejtorit të përgjithshëm në IKAP.