Qendra e Vaksinimit në Gjakovë deri sot ka administruar 71 mijë e 718 doza të vaksinave, 43 mijë e 562 doza të para, dhe 28 mijë e 156 me dy doza. Kështu ka bërë me dije të mërkurën për KOHËN, drejtoresha për Shëndetësi në Komunën e Gjakovës, Afërdita Spahiu-Shllaku.
Ajo ka njoftuar se aktualisht Qendra e Vaksinimit ka vaksina të mjaftueshme dhe se ka një interesim të madh të qytetarëve për t'u vaksinuar.
Spahiu-Shllaku ka folur për një interesim më të vogël për vaksinim tek grupmoshat e reja, në veçanti tek të miturit.
"Nuk kam informata se sa të mitur janë vaksinuar, por e di që më herët ka pas një interesim më të madh për vaksinimin e një kategorie të të miturve ndërsa kohëve të fundit ka rënë ky interesim", ka thënë ajo.
Zonja Spahiu-Shllaku ka bërë me dije se mesatarja ditore e vaksinimit në Gjakovë është 1300 persona. Vetëm dje ka thënë ajo janë vaksinuar 1550 veta.
Edhe
Bie ndjeshëm numri i vaksinimeve ditore në Gjakovë
Sipas drejtoreshës Spahiu-Shllaku 90 për qind e stafit të Komunës së Gjakovës janë të vaksinuar, ndërsa pjesa tjetër janë që sapo e kanë kaluar infeksionin dhe përkohësisht llogaritet se posedojnë anti-trupa të mjaftueshme.
Edhe kryeinfermierja në Qendrën e Vaksinimit në Gjakovë, Makfirete Berisha ka folur për një mbarëvajtje të punës në këtë qendër.
"Ka një interesim të madh, puna po ecë mbarë, terminet obligative i kanë evituar tollovitë", ka thënë ajo për KOHËN.
E pyetur për numrin e të miturve të vaksinuar në këtë qendër, zonja Berisha nuk ka mundur të flasë me saktësi por ka thënë se as 100 të mitur nuk janë vaksinuar aty.
Edhe
Mbi 80 mijë vaksina të administruara në Gjakovë, bie interesimi
"Fëmijët nga 12-15 vjeç me sëmundje kronike i vaksinojmë që të ua rrisim imunitetin, por për t'u vaksinuar ata duhet ta posedojnë raportin e mjekut paraprakisht", ka sqaruar ajo.
Komuna e Gjakovës sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) nga fillimi i pandemisë ka pasur gjithsejtë 7 mijë e 937 persona të konfirmuar pozitiv me COVID-19, 18 vetëm në 24 orët e fundit. Nga shifra e përgjithshme, janë shëruar gjithsej 7 mijë e 228 persona, ndërsa raste aktive mbesin edhe 709. Nga fillimi i pandemisë në këtë komunë nga COVID-19 kanë vdekur 222 persona.