Arbëri

Qelaj: Nuk m’u lejua të marr shënime gjatë takimit me Thaçin dhe të tjerët në Hagë

Naim Qelaj - Avokati i Popullit

Avokati i popullit, Naim Qelaj, ka zhvilluar një vizitë në Dhomat e Specializuara në Hagë. Në një konferencë për media, Qelaj deklaroi se ka takuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin nën monitorim të plotë.

Ai tha nuk ka pasur mundësi të marrë shënime gjatë takimit me ta dhe kjo sipas tij cënon rëndë pavarësinë dhe të drejtën që ka avokati i popullit si institucion kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Qelaj poashtu tha se këtë shqetësim do ta ngris edhe në mekanizma ndërkombëtar.

“Në kuadër të kësaj vizite kemi zhvilluar takim me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Ajo çka mund të them është se e gjithë vizita dhe takimet kanë qenë në monitorim të plotë, në pamundësi të merren shënime dhe në kushte që konsideroj se cënojnë rëndë pavarësinë dhe të drejtën që ka Avokati i Popullit si mekanizëm për parandalim të torturës dhe si institucion kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që të ketë qasje të papenguar në komunikim me personat që ndodhen në paraburgim. Këtë shqetësim do ta ngris edhe në gjykatë edhe mekanizma ndërkombëtar. Gjatë këtij mandait është hera e parë që unë detyrohem të zhvilloj një bisedë me një person të privuar nga liria në formë të tillë dhe që është në kundërshtim me Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut”, deklaroi Qelaj në konferencën për media.

Tutje avokati i popullit tha se nuk ka zhvilluar takim me kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilovën dhe e njëjta kërkoi që bisedën ta zhvillojnë me platformën “zoom”, formë të cilën nuk e pranoi Qelaj.

Por ai tha se ka kërkuar takim tjetër pas kthimit në Kosovë dhe se këto shqetësime do t’ia përcjell edhe asaj.

“Kemi pasur një kërkesë për takim edhe me gjykatën por kryetarja Ekaterina Trendafilova nuk gjendej aty dhe kërkoi që bisedën ta zhvillojmë me platformën ‘zoom’, unë nuk pranova dhe kërkova të zhvillojmë takim tjetër pas kthimit në Kosovë. Këto shqetësime do t’ia përcjell edhe asaj”, deklaroi Qelaj.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-drejtuesit e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim të luftonte Serbinë e jo civilët.

Tash e pesë vite ata ndodhen në paraburgim në Hagë dhe kjo periudhë e paraburgimit është konsideruar e gjatë dhe e padrejtë.