Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qe 5 muaj Qeveria shkel vendimin për pezullimin e drejtorit të AKK-së

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe ajo e Administratës Publike (MAP) nuk po e përfillin vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) për ta pezulluar nga puna drejtorin e Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve (AKK).

KPMSHCK-ja në shtator të vitit të kaluar ka nxjerrë vendim për pezullimin e drejtorit të AKK-së, Lah Nitaj. Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve është institucion që vepron në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, shkruan sot Koha Ditore.

Vendimi për pezullim është marrë pas dy ankesave që janë adresuar në këshill rreth procedurave të konkursit për këtë pozitë. Ndërkaq, më 14 mars të këtij viti, këshilli ka marrë vendim përfundimtar duke kërkuar anulimin e konkursit.

Vendimi i është përcjellë kryeministrit, ministrit të Administratës Publike dhe ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)