Lëvizjet e fundit të kryera nga Washingtoni dëshmojnë rikthimin e madh të Amerikës në shtetet e Ballkanit, dhe atë në Serbi po e cilësojnë si “pushtim”. Duke u nisur nga pesë emrat që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka deleguar të merren për periudhën që po vjen në Ballkan, Washingtoni ka treguar synimet serioze që i ka për rajonin.
Siç shkruan “Blic” në Serbi të gjithë këta zyrtarë kanë përvojë diplomatike, janë energjikë, dhe e njohin mirë Ballkanin. Ata ishin aktivë në rajon në vitet e ’90-a.
Ndërkaq Dimitrije Miliq nga “New Third Way” ka thënë për “Blic” në Serbi se me emërimet e reja është ngritja e rëndësisë së Ballkanit në çështjet politike të jashtme të Amerikës. “Ardhja e Christopher Hillit si ambasador është ndoshta treguesi më i mirë i kësaj. Është një nga diplomatët më kompetentë amerikanë, me përvojë në rajonet ‘me shumë rreziqe’”, ka thënë ai. Sipas tij, dërgimi i këtyre zyrtarëve në rajon “s’ka ndodhur pa arsye”.
Gabriel Escobar

Gabriel Escobar është caktuar i dërguar i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Njerëzit që e njohin e kanë cilësuar si shumë energjik. Ai së fundmi e dëshmoi këtë me pjesëmarrjen në takimet për arritjen e marrëveshjes për çështjen e targave në Bruksel. Biografia e tij tregon se ka qenë zëvendësshef i misionit në Ambasadën Amerikane në Serbi më 2019. Në ish-Jugosllavi kishte mbajtur pozitën e shefit të stafit në Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Banja Llukë dhe më pas të zëvendësshefit të ekipit diplomatik në Podgoricë.
Jeffrey Hovenier

Jeffrey Hovenier do të jetë ambasador i ri i SHBA-së në Kosovë. Njihet si “specialist për Ballkanin”. Turqia është vendi i fundit ku shërbeu si zëvendësshef i misionit. Ka punuar edhe në ambasadat në Greqi e Kroaci dhe s’ka shtet në Ballkanin Perëndimor ku s’ka qenë i përfshirë. Ai ka qenë pjesë e negociatave në Rambuje, si pjesëtar i ekipit të Martti Ahtisaarit. Ka ndihmuar në hapjen e ambasadës në Beograd më 2000 pas prishjes së raporteve në kohën e luftës në Kosovë. Dikur ka qenë shef i zyrës së përkohshme të SHBA-së, me punën që lidhej për çështjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Më 2018, ka marrë medalje nga presidenti Hashim Thaçi në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Në deklarimin e tij në Komitetin për Punë të Jashtme në Senatin Amerikan Hovenier ka thënë se “do ta përkrah dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë, për çka, citoj presidentin Biden, fokusi është te njohja reciproke”.
Christopher Hill

Në Serbi ambasador i ri amerikan do të jetë Christopher Hill. Ai cilësohet si njeriu që mund të përshpejtojë zgjidhjen e dialogut Kosovë-Serbi. Shërbimi i tij i parë ka qenë pikërisht në Beograd dhe ishte bashkëpunëtori më i afërt i Richard Holbrooket dhe pjesëtar i ekipit në marrëveshjet në Dayton e Rambuje. Hill pos që ishte ambasador në Maqedoni, ka shërbyer edhe si i dërguar i posaçëm për Kosovën në periudhën 1998-1999. Ai përshkruhet si diplomat me besimin më të lartë të Holbrooket dhe trim që hyn në mes të palëve.
Michael Murphy

Sikur Hovenieri, Michael Murphy, ambasador i ri i SHBA-së në Bosnje e Hercegovinë, është veteran i Departamentit të Shtetit dhe ka 29 vjet përvojë në politikat e jashtme. Ai aktualisht shërben si zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit për Evropë e Euroazi. E njeh mirë Ballkanin, për çka s’është befasi sepse ka pasur pozita të larta në Sarajevë e Prishtinë. Në Bosnje ka qenë këshilltar në Ambasadë në periudhën 2006-2009 dhe në Kosovë zëvendësshef i Misionit amerikan në periudhën 2009-2012.
James O’Brien

James O’Brien që është nominuar për koordinator të politikave sanksionuese të Departamentit të Shtetit, do të merret edhe me Ballkanin. Ai konsiderohet si amerikani kyç në draftimin e Marrëveshjes së Daytonit, dhe i është atribuuar edhe shkrimi i Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, në aneksin për marrëveshjen e paqes. Nga viti 1989 e deri më 2001 ka qenë këshilltar i lartë i Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, si zëvendësdrejtor i parë për planifikime politike dhe i dërguar për Ballkanin. Në qeverisjet e Clintonit nga viti 1993 e deri më 2001 ka punuar në Departamentin e Shtetit me fokus në çështjet e ish-Jugosllavisë dhe krimet e luftës. Ka punuar edhe me Barack Obaman në Shtëpinë e Bardhë. Aktualisht është zëvendëspresident i grupit këshillues ndërkombëtar “Albright Stonebridge”.