Ngritjet dhe uljet, nga njëri ekstrem në tjetrin, e shifrave të të infektuarve dhe të të vdekurve nga COVID-19, vonesa në sigurimin e vaksinës dhe përshpejtimi i këtij procesi, ndërrimi i shpeshtë i ministrave të Shëndetësisë dhe problemi kronik i mungesës së barnave në sektorin publik janë sfidat e mëdha të shëndetësisë në vitin 2021. Disa nga to mbeten preokupime edhe për vitin 2022, bashkë me presionin e punëtorëve shëndetësorë për rritje pagash dhe kërcënimin se në të kundërtën do t’u bashkohen kolegëve të tyre, që si alternativë kanë zgjedhur migrimin jashtë vendit
Katër herë u ndërruan ministrat e Shëndetësisë brenda vitit 2021, ndërsa që qytetarët dhe vetë shërbimet e këtij sektori po përballeshin me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi.
Armend Zemaj, Arben Vitia e Dafina Gexha udhëhoqën shëndetësinë njëri pas tjetrit, për afro 10 muaj të këtij viti, para se në krye të këtij sektori të vinte, Rifat Latifi. Për secilin prej tyre kryefjalë ishte menaxhimi i pandemisë, që regjistroi dy faza kritike, në fillim të vitit dhe në muajt gusht e shtator.
Kosova në këto periudha u vendos në krye të listave ndërkombëtare për numrin e të vdekurve dhe të infektuarve me COVID-19. Në total, gjatë 2021-tës, deri në gjysmën e dhjetorit e kanë humbur betejën me këtë sëmundje 1.640 persona nga 2.985 sa është numri i të vdekurve që nga shfaqja e rasteve të para me koronavirus, në mars të vitit 2020.
Rekordi i zi me viktima nga COVID-19 u regjistrua në fund të muajit gusht, kur brenda një dite humbën jetën 36 persona. E numri i rasteve aktive me këtë virus në nivel vendi arriti në mbi 20 mijë. U deshën disa javë që shifrat të ulen, për t’u vënë në kontroll situata tek në tetor. Aktualisht, janë të rralla rastet e vdekjes, ndërsa ato të të infektuarve janë mesatarisht rreth 10 në ditë. Numri i rasteve aktive është afro 300.
Masat - solidarizimi me festa dhe pushimet e mërgimtarëve
Në të dy periudhat që regjistruan numër të lartë të të vdekurve masat ishin të “buta”, fillimisht që Qeveria Hoti vendosi në fundvitin e 2020-s, më pas Qeveria Kurti në muajt korrik e gusht – të dyja me qëllim që të lehtësohet ardhja dhe qëndrimi i mërgimtarëve.
Shpërfillja e atyre pak masave që ishin në fuqi, sidomos gjatë dy muajve të verës kur në Kosovë zbarkuan afro 1 milion mërgimtarë, si dhe frekuentimi i plazheve në Shqipëri, Mal të Zi e vende të tjera nga vetë qytetarët e Kosovës, bëri që fundi i verës të arrijë shifra rekorde të të infektuarve dhe mbingarkim të sistemit shëndetësor.
Rrëfimet nga klinikat COVID të pacientëve e të personelit shëndetësor ishin dramatike.
“Puna është jashtëzakonisht e madhe. Vullneti është shumë i madh. Pacientët janë në gjendje shumë më të rëndë, gjendja e tyre është më e keqe. Pacientët në gjendje më të rëndë janë ata më të rinj, më të rinj... Më të rinj se unë, edhe gjendja e tyre është jashtëzakonisht... Edhe ne kemi dhimbje, kemi familje, kemi emocione, kemi stres psikologjik se nganjëherë nuk mundesh me i ndihmu pacientit në atë gjendje”, pati treguar Senad Syla, infermier në QKUK, në shtator të 2021-tës.
Megjithëse Kosova në mars të këtij viti kishte filluar me administrimin e vaksinave kundër koronavirusit, qytetarë të paktë atëkohë u vaksinuan. Fillimisht për shkak të numrit të kufizuar të vaksinave, ndërkohë edhe për mungesë të ndërgjegjësimit për nevojën e imunizimit.
Për pasojë, të hospitalizuarit me variantin Delta, që u përhap me shpejtësi të madhe, ishin pothuajse të gjithë ta pavaksinuar.
“Kjo lidhet me vaksinim dhe me variantin Delta, që i atakon shumë moshat e reja, është shumë më bartës e më infektues. Ndoshta te moshat e reja ka qenë ai mendimi që unë i ri e s’po vaksinohemi, e ky ndoshta është gabimi që ne e kemi bërë si popullatë, të cilin po e vuajmë tash”, kishte thënë Muhamet Fazliu, anesteziolog e i cili trajtonte vetëm pacientë me COVID-19.
Që varianti Delta po përhapej me të madhe kishte deklaruar edhe drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, i cili apelonte atëkohë për t’u vaksinuar sa më shumë persona.
“Delta përhapet shumë më shpejt dhe zhvillon një formë klinike më të rëndë. Në Klinikën Infektive pacientë të vaksinuar plotësisht janë zakonisht 2-3 për qind, ndërkaq pothuajse mbi 90 për qind e pacientëve janë të pavaksinuar. Me vaksinim më të madh do të ketë më pak pacientë”, kishte thënë ai.
Masat anti-COVID, disa herë brenda vitit u ndryshuan, teksa kundërshtimet vazhduan çdoherë nga ana e bizneseve dhe grupeve të tjera të interesit. Ato nuk u respektuan as nga partitë politike kur u erdhi koha për të kërkuar votën.
Grumbullime me shumë persona, pa respektuar distancën e maskën, u mbajtën gjatë tri proceseve zgjedhore që u mbajtën në 2021-tën në Kosovë.
Kosova e goditur nga dy valë të ashpra të përhapjes së virusit, megjithatë arriti që në një kohë të shkurtër të regjistrojë edhe një rekord tjetër, këtë herë për të mirë. Mbase duke parë gjendjen alarmante, qendrat e vaksinimit u mbushën me qytetarë që donin të imunizoheshin, e që deri më 8 dhjetor mbi 1 milion e 633 mijë doza të vaksinës janë administruar.
Interesimi për vaksinim pas rritjes së rasteve me fatalitet

Vaksinimi kundër COVID-19 në Kosovë nisi në 29 mars të 2021-tës. Para se të sigurohej kontingjenti i parë, 500 mjekë shfrytëzuan mundësinë e ofruar nga Qeveria e Shqipërisë dhe u vaksinuan në qytetin e Kukësit. Ofertë nga Shqipëria u është bërë edhe mësimdhënësve.
E me qëllim të inkurajimit të qytetarëve, në mesin e të parëve që mori dozën e parë nga sasia e mbërritur në Kosovës ishte kryeministri Albin Kurti.
“Dua t’i inkurajoj të gjithë që të vaksinohen. Vaksinimi është i nevojshëm, meqenëse përballemi me pandemi. Zgjidhja është vaksinimi. I lus të gjithë që t’i respektojnë masat. I falënderoj të gjithë punëtorët shëndetësorë. Fillojmë me personelin shëndetësor dhe të moshuarit, për të vazhduar edhe me të tjerët”, kishte thënë ai.
Për afro tre muaj procesi i vaksinimit ka qenë i ngadaltë. Krahas personelit mjekësor, prioritet në fazën e parë u është dhënë grupeve të rrezikuara, sidomos të moshuarve. Nga Qeveria u premtua se diku në qershor do të nisë vaksinimi masiv. Madje, ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media pati thënë se synimi i tyre është që të vaksinojnë 300 mijë persona në muaj.
“Ne kemi marrë tё gjitha masat, qё pavarësisht qё 320-mijёshi ёshtё synimi ynё mujor, qё ta bëjmë gjatë kёtij gjashtёmujori deri më datёn 15 dhjetor. Natyrisht, ne i kemi marrё tё gjitha masat qё mundёsia e vaksinimit tё jetё deri nё 500 mijё doza. Kёshtu qё, mund tё ndodhë qё njё muaj t’i kemi 200 mijё tё vaksinuar, ashtu siç mund tё ndodhë qё njё muaj t’i kemi edhe 500 mijё tё vaksinuar pёr njё muaj”, ishte shprehur Vitia, pasi që kishte thënë se ka nisur vaksinimi masiv në nivel vendi.
Megjithatë, jo i gjithë procesi i vaksinimit në Kosovë shkoi pa telashe. Përveç nisjes me vonesë të vaksinimit në Kosovë, Qeveria u kritikua për mosnënshkrimin e kontratës me kompanitë “Pfizer” dhe “BioNtech”. Po ashtu kritika nga opozita pati për pranimin e vaksinave me afat të shkurtër përdorimi, që krahas dyshimeve se vaksinat përbëjnë kërcënim për shëndetin, ndikuan që të rritet skepticizmi i qytetarëve për marrjen e saj.
“Lajmi i publikuar... është i pavërtetë, dëmshëm, dhe dashakeq. Është i pavërtetë, sepse ata që janë siguruar me kinse informacione zyrtare janë krejtësisht të pasaktë. Ne nuk mund të flasim për progresin që kemi bërë me sigurimin e vaksinave, sepse kjo çështje është strikt, konfidenciale. Edhe ata që kanë rrjedhur çfarëdo çerek lajmi, sipas tyre, e kuptojnë se këto të dhëna janë konfidenciale”, kishte deklaruar Vitia, në një konferencë për media, që e kishte thirrur në mbrëmje, pas lajmeve të shpërndara në portale.
Në fillim të shtatorit mbi 130 mijë dozave të vaksinës “AstraZeneca” u skadoi afati dhe u hoqën nga përdorimi. Këto vaksina kishin ardhur donacion nga Norvegjia. E ministri Vitia akuzoi deputetë të opozitës për pengimin e vaksinimit.
“Sot janë hequr 133,234 vaksina nga kompania ‘AstraZeneca’, pjesë e donacionit nga Norvegjia, të cilave u ka skaduar afati. Si MSH qysh në fillim kemi lajmëruar se afati i tyre është 31 gushti i këtij viti. Pavarësisht kësaj ka pasur shumë dezinformata, përfshirë këtu edhe nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, për afatin e këtyre vaksinave. Kjo ka ndikuar dukshëm në uljen e interesimit të qytetarëve për të marrë këtë vaksinë, deri në refuzim për marrjen e tyre. Ne nuk jemi në situatë kur duhet zgjedhur vaksinë”, ka thënë Vitia, në lidhje vaksinat e pashfrytëzuara.
Mungesa e barnave, kërcënimi i sindikatës...
Shëndetësia në Kosovë, përveç me pandeminë, u përball edhe me probleme të tjera.
Mungesa e barnave vazhdoi të shfaqet si sfidë edhe gjatë 2021-tës. Madje me ndërrimin e qeverive, u ndërrua edhe buxheti për barnat. Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti e pati ulur buxhetin për barna për rreth 50 për qind. Në rishikim, Qeveria e Albin Kurtit pati shtuar buxhetin për 8 milionë euro dhe 3.7 milionë euro që janë transferuar, por të pamjaftueshme për plotësimin e të gjitha nevojave.
Ndonëse Qeveria e Kosovës e edhe vetë kryeministri Kurti kanë thënë se buxheti për barna të Listës Esenciale do të rritet për 24 milionë euro, edhe në vitin 2022 buxheti për furnizimin e Listës Esenciale për QKUK-në dhe spitalet rajonale do të jetë 30 milionë euro.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës vazhdimisht që nga paslufta ka pasur probleme rreth furnizimit me barna e material shpenzues. Për vite të tëra buxheti i ShSKUK-së nuk e ka kaluar vlerën prej 15 milionë eurosh.
Të shpeshta problemet me mungesë barnash ishin edhe për pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda.
“Barnat sot kushtuan 115 euro. Herën tjetër kam paguar 65 euro, 45 euro. I kam faturat krejt, po i kam lanë në shpi. Unë prej fillimit, kur e kam marrë, prej ramazan kur ka qenë. Qaty ja kam nisë, qaty i kam marrë 40, 50”, kishte thënë një qytetar.
Edhe qytetarë të tjerë që merrnin trajtim në Klinikën e Onkologjisë thoshin se shpenzimet e barnave janë të papërballueshme.
“E papërballueshme është, po na janë bashkëngjite familjarët, po na ndihmojnë... Mjerë ai që s’ka. Ai që ka nuk e ka vështirë, por dikush që ka social me 80 euro nuk mundet me ja dalë”, thoshte një tjetër qytetar.
Mungesa e barnave e premtimet për to u përmendën edhe në fushatën për zgjedhjet qendrore. Kryeministri Albin Kurti, gjatë kohës së fushatës në shkurt, premtoi se barnat nuk do të mungojnë e buxheti për shëndetësi do të rritej çdo vit. Por në muajt e parë të Kurtit si kryeministër, megjithatë, barnat munguan shpesh.
E në bazë të planifikimit edhe për vitin 2022 për barna e material shpenzues spitalet rrezikojnë sërish të kenë mungesa. Kjo për shkak se 40 për qind e secilit buxhet shpenzohet për trajtimin e kancerit e rastet me këtë sëmundje në Kosovë janë në trend të rritjes.
Në anën tjetër, oborri i Ministrisë së Shëndetësisë e edhe ai i Qeverisë disa herë u mbushën me protestues, për shkak të pagesave. Specializantët e mjekët vazhduan me protesta. Punonjësit shëndetësorë të sektorit publik u futën në grevë edhe në javët e fundit të vitit për shkak të mosmiratimit të Ligjit të Pagave. Sindikalistët kërcënojnë me bllokim të sistemit në një të ardhme të afërt, e sipas tyre mosplotësimi i kërkesave ka për pasojë edhe largimin e mjekëve, jo vetëm në drejtim të sektorit privat, por edhe jashtë vendit.
E për institucionet vendimmarrëse, sfidat e vitit 2022 në shëndetësi mbeten po ato të një viti më parë.