Arbëri

Pushteti e opozita të përçarë edhe në Ditën e Pavarësisë

Rreth 15 minuta deputetët e Kuvendit të Kosovës është dashur të presin krerët e shtetit.

Ndonëse seanca ishte ftuar për në orën 11 të së enjtes, e njëjta nuk filloi me kohë në mungesë të tyre.

Përveçse me vonesë, kryetarja e shtetit, Vjosa Osmani, nuk përshëndeti në mënyrë të njëjtë të gjithë deputetët e Kuvendit. Ata të PDK-së i injoroi.

Por për të pritur Osmanin e kreun e Qeverisë, Albin Kurti, në këmbë u ngritën deputetët e Vetëvendosjes.

Përveç deputetëve të Listës Serbe, në seancë munguan edhe disa deputetë nga grupet e tjera parlamentare.

E plotë nuk ishte as pjesëmarrja e kabinetit qeveritar. Nga 18 sa janë gjithsej, në sallë ishin vetëm 12 prej tyre.

E para që iu drejtua deputetëve, pas intonimit të himnit, ishte presidentja Vjosa Osmani.

“Ishte rezistenca e popullit tonë që trasojë hapat e luftës sonë për liri e për shtet. Nën udhëheqjen e atit tonë themeltar, presidentit Ibrahim Rugova, Kosova në atë kohë i bëri të ditur botës demokratike se synim ishte pavarësia e vendit si një parakusht për paqe e për stabilitet në rajon. Çlirimi nga robëria nuk ishte drama jonë kombëtare me një akt, prandaj për aq sa u rrit shtypja ndaj nesh, me të njëjtin ritëm nisi të transformohet rezistenca jonë paqësore në rezistencë të armatosur”, u shpreh Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Për dallim nga Osmani, fjalimi i Kurtit nuk u dëgjua në tërësi. I njëjti në seancën solemne për 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës zgjodhi të rendisë sukseset që tha se ka arritur si kryeministër deri tash.

“Falë punës së mirë të përbashkët në luftën kundër kotrupsioni dhe krimit, Kosova është renditur e para në rajon në indeksin e drejtësisë në botë. Dhe u ngrit për 17 vende në luftimin e korrupsionit. Në rrafshin ndërkombëtar kemi thelluar bashkëpunimin dhe bashkërendimin me partnerët e aleatët dhe miqtë tanë duke forcuar sigurinë për qytetarët, duke afirmuar sovranitetin shtetëror dhe duke mbrojtur integritetin territorial të Republikës sonë”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Një gjë e tillë nuk u prit mirë nga deputetët opozitarë, të cilët gjatë gjithë kohës reagonin.

Disa minuta para se Kurti të përfundonte fjalimin, ata lëshuan sallën.

Kësisoj, fjalimi i kryekuvendarit, Glauk Konjufca, u dëgjua vetëm nga deputetët e pushtetit.

“Pavarësia është një bimë e lirisë që kërkon ujitje për çdo ditë, Do të kujdesemi për të së bashku, duke e përmbushur amanetin e të rënëve nëpër brezni. Do ta mbrojmë pavarësinë tonë në çdo kohë dhe pa kursim”, shtoi Konjufca.

Largimin e tyre nga seanca solemne e arsyetuan opozitarët.

“Është e papranueshme që në 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë të mos përmenden akterët kryesor të asaj kohe. Sot nuk mundet të zhbëhet ajo që kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi ka qenë ai që ka ftuar një seancë të jashtëzakonshme për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, nuk mundet të zhbëhet roli i zëdhënësit të UCK0së që atë kohë ka qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Nuk mundet të zhbëhet roli i ish-presidentit, Fatmir Sejdiu”, ka pohuar Abelard Tahiri, shef i GP të PDK-së.

Besnik Tahiri, shef i GP të AAK-së e quajti seancë abuzimi atë që u thirr për seancë solemne.

“Plani unë ishte që të marrim pjesë në seancën solemne e cila u kthye në një seancë abuzimi dhe komunikimi politik e mbi të gjitha një seancë që nuk do të duhej të jetë kështu për shkak se seancat e tilla e kanë vetëm një qëllim, shprehen e falënderimit për të gjithë ”, tha ai.

Në anën tjetër, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, fjalimin e Kurtit e konsideruan përçarës, ofendues, të pavend e të padinjitetshëm.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se fjalimi i sotëm i Kurtit, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, ishte përçarës, ofendues, i pavend dhe i padinjitetshëm. Ai sulmoi opozitën, mediat dhe fjalën e lirë. Një fjalim i tillë nuk mund të mbahet në festën e Ditës së Pavarësisë. Duket që Kurti vazhdon të mos e përjetojë 17 Shkurtin si festë e moment uniteti kombëtar të Kosovës. Ai edhe në këtë ditë të madhe, si para 14 vjetëve, zgjedh të ndajë e të përçajë popullin e Kosovës. Republika e Kosovës është vendi i vizionarëve politikë, i luftëtarëve, i dëshmorëve dhe i martirëve të lirisë, vendi dhe shteti ynë i përhershëm. Kush nuk e kupton, fyen sakrificën e popullit të Kosovës, siç bëri Kurti sot”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Në seancën solemne morën pjesë edhe disa nga ish-presidentët e vendit e përfaqësues diplomatikë.