Arbëri

Pushteti e opozita dakordohen që raportimi i Bislimit të shtyhet për një javë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, të premten, është dashur të raportojë në Komisionin për Integrime Evropiane. Madje, për këtë takim me Bislimin, anëtarët e këtij komisioni përveç për Raportin e Bashkimit Evropian për Kosovën, në plan e kanë pasur që të diskutojnë edhe për marrëveshjen financiare për IPA 2018, e të cilën për detyrë e ka pasur ta prezantojë Bislimi.

Por, asnjëra prej tyre nuk është diskutuar në mbledhjen e Komisionit për Integrim Evropian. I gjithë takimi, rreth 30 minutash, është kaluar me diskutime mes deputetëve nga pushteti e atyre opozitar, për shtyrjen e diskutimit me Bislimin, apo përfundimin e vetëm njërës nga dy çështjet për të cilat zëvendëskryeministri është ftuar të raportonte.

Që zëvendësi i kryeministrit Albin Kurti, të raportojë vetëm për marrëveshjen e IPA 2018, kërkoi deputetja e Vetëvendosjes, Arbëresha Kryeziu. Me pretendimin se edhe me anëtarë të tjerë të Komisionit kanë edhe takime të tjera në kuadër të sesionit të dytë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, të nisur një ditë më parë.

“Nuk do të kemi mundësi me qëndru këtu deri në fund të diskutimit për raportin për vendin që po mendoj është e padrejtë, sepse edhe unë, edhe Blerta e me siguri edhe secili prej nesh kemi çështje që dëshirojmë t’i diskutojmë bashkë me zv.kryeministrin e që lidhen me raportin për vendin”, ka thënë Kryeziu.

Derisa konfirmoi angazhimet që kanë me deputeten Kryeziu, Blerta Deliu e PDK-së kërkoi përgjegjësi nga zëvendëskryeministri lidhur me insistimin e tij që raportimi në Komisionin për Integrim Evropian të bëhet në të njëjtën ditë me takimin për MSA-në.

“Nuk po më duket që ka një koordinim të mirë ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë për shkak se agjendat duhet përshtatur atëherë kur ne nuk jemi të zënë me obligimet e tona sa u përket punimeve që jemi duke i ndjekur për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”, tha Deliu pyetjes së cilës i është përgjigjur Bislimi, duke thënë se dakordimi është bërë së bashku me komisionin dhe se pajtohet me çfarëdo propozimi të deputetëve.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbëresha Kryeziu, sërish insistonte që raportimi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, të shtyhet për një ditë tjetër e të përfundohej vetëm prezantimi i marrëveshjes financiare IPA-2018, me arsyetimin se mund të përfundohet më shpejt. Krahas kësaj, Kryeziu insistonte se me ftesat për raportime Bislimi është duke u ngarkuar.

“Po besoj që jemi të vetëdijshëm secili prej nesh si anëtarë të komisionit që jemi duke e ngarkuar goxha shumë zv.kryeministrin me prezenca në komision për të prezantuar projekte që kanë me qenë të shumta edhe në të ardhmen kështu që mos t’ia marrim kohën kur e dimë që mbulon tri fusha shumë të rëndësishme”, ka thënë ajo.

Ndaj deputetes Kryeziu, reagoi deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, duke ia rikujtuar asaj se zëvendëskryeministri e ka për obligim ta bëjë një gjë të tillë.

“Nuk pajtohem me atë që po thoni, i kemi humbur kohë zëvendëskryeministrit, sepse e ka obligim me raportu para Komisionit edhe nëpër seancat plenare e ka obligim ligjor”, tha Kadrijaj.

Me qëllim të bashkëpunimit me opozitën, për shtyrjen e takimit me deputetët anëtarë të Komisionit për Integrim Evropian, u pajtua edhe zëvendëskryeministri.

“Për mua është shumë më e rëndësishme ruajtja e frymës së bashkëpunimit edhe në komision, edhe në seancë plenare, prandaj jam i gatshëm”.

Pas rreth 20 minutave diskutim për shtyrje apo jo e pa u hedhur në votim propozimet e bëra, deputetët u dakorduan që takimin me Bislimin ta mbajnë të premten e ardhshme.