Arbëri

Pushohet nga detyra përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha

Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar vendimin për të pushuar nga detyra përmbaruesin privat Ilir Mulhaxha, vëllain e deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku.

Siç ka njoftuar zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, në Facebook, Komisioni Disiplinor për Përmbarues Privat ka gjetur shkelje disiplinore, pasi që Mulhaxha, duke kryer veprime përmbarimore nuk i është përmbajtur ligjit.

“Sapo kam nënshkruar vendimin për pushim nga detyra të përmbaruesit privat z. Ilir Mulhaxha. Komisioni Disiplinor për Përmbarues Privat ka gjetur shkelje disiplinore pasi që i njëjti gjatë kryerjes së veprimeve përmbarimore në kuadër të aktivitetit të tij, nuk iu ka përmbajtur ligjit, në lëndën e përmbarimit, dhe si rrjedhojë është shqiptuar masa disiplinore, shkarkim nga detyra”, ka shkruar Sallahu.

Mulhaxha ishte pezulluar nga puna në fillim të janarit, me kërkesë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Arsyeja ishte ekzekutimi i një urdhër për transfer të datës 29 dhjetor të vitit të kaluar nga llogaria e ndërmarrjes “NewCo Llamkos Steel” (në likuidim) në Bankën Qendrore të Kosovës. U konstatua se ka bërë shkelje flagrante të dispozitave ligjore.