Objekti i Mjekësisë Sportive për pranimin e pacientëve të rinj me COVID 19 mbetet jashtë përdorimit.
Mirëpo si të funksionalizuar e paraqiti kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një postim të tij në Facebook, të dielën, ku shtonte se me të janë edhe 101 shtretër shtesë për pacientë me COVID-19.
Por aty edhe këtë të hënë pati punime.
Në një përgjigje për KOHËN Drejtoria e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës bën të ditur se ka mbetur edhe rregullimi i liftit për këtë objekt.
“Pajisjet e ashensorit janë të kontraktuara dhe jemi në hap me kohën për të funksionalizuar për nevojat e rasteve me Covid”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Shqetësimin për liftin e kishte shprehur edhe anesteziologia dhe intensivistja e QKUK-së, Agreta Gashi, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas saj, procedurat e prokurimit dhe tenderimit po e vonojnë procesin e përfundimit të objektit, e edhe qasjen e pacientëve aty.
Prej 23 qershorit të këtij viti, për shkak të mbushjes së kapaciteteve në Klinikën Infektive, Pulmologji e Dermatologji, ishte hapur Mjekësia Sportive për trajtimin e rasteve me CPAP dhe ato të intubuara.