Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Punëtorëve të KEK-ut u ndalohet thëngjilli në formë dhurate

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka marrë vendim për ndalimin e shpërndarjes së thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e KEK-ut.

KEK-u që ka mbi 5 mijë punëtorë, deri më tani ka dhënë nga 10 tonë thëngjill për secilin prej tyre. Ministri Valdrin Lluka ka nënshkruar sot vendimin pasi 50 milionë kilogramë thëngjill që marrin dhuratë punëtorët, ndikojnë negativisht në ajër.

“KEK ka mbi 5000 punëtor dhe deri më tani ka dhënë 10 ton për secilin prej tyre, apo ndryshe mbi 50,000,000 kg të cilat ndikojnë negativisht drejtëpërdrejtë në ajrin që thithim çdo ditë pasi që thëngjilli i djegur në shtëpi, nuk është i trajtuar siç duhet dhe nuk përdorët asnjë filtër gjatë ngrohjes”, ka shkruar Lluka në një postim në Facebook, transmeton Koha.net.

“Një vendim i tillë nuk është aspak i lehtë duke konsideruar aspektin social në vend (forma më e lirë e ngrohjës së ambientit ku jetoni), por meqenëse KEK-u ka rritur rrogat këtë vit për të gjithë punëtorët për 100 EUR në muaj (apo 1200 EUR në vit), mendojmë që ka ardhur koha të mendojmë për shëndetin e fëmijëve dhe më të dashurve tanë”, ka shkruar ai që ka treguar arsyet e vendimit:

1. Dhënia e qymyrit është praktikë e mbrapsht e cila mbi të gjitha dëmton afarizmin e ndërmarrjes,

2. Qymyri është ndotës i jashtëzakonshem i ajrit si i tillë dhe bie ndesh me politikat strategjike për mjedis,

3. Konsiderojmë se niveli i tanishëm socio-ekonomik mundëson mënyra alternative të ngrohjes në ekonomi familjare,

4. Që nga marrja e mandatit, kam punuar në zgjerimin e rrjetit të kogjenerimit dhe do të vazhdojmë të përkahim projekte të tilla për qytetet që kanë ngrohtore qëndrore,

5. Qymyri i dhuruar është tregtuar jashtëligjshëm me vite nga punëtorët duke i shkaktuar humbje kompanisë së licencuar për treg të qymyrit, Kosova Thëngjill.

“Ky vendim rregullon pjesërisht problemin në vend pasi që është edhe një sfidë tjetër, ajo e nxerrjes ilegale të thëngjillit”, ka shkruar Lluka.

Artikuj të ngjashëm