Që nga korriku i vitit 2022, 161 punëtorë të ndërmarrjes “Kosova Thëngjilli” kanë mbetur pa punë. Në protestën e mbajtur të premten para zyrave të KEK-ut, ata kanë kërkuar kthimin në KEK, siç kanë qenë deri në vitin 2003, ose t’u vazhdohet kontrata për prodhimin e qymyrit të tharë. Mes tjerash, në protestë ata kanë akuzuar KEK-un se prodhimin e tyre tash e ka zëvendësuar me import nga shtete të huaja, përfshirë Serbinë. Zyrtarët e KEK-ut kanë sqaruar se nuk kanë asnjë detyrim ndaj kësaj ndërmarrjeje
Për importim të thëngjillit nga Turqia, Serbia e shtete të tjera është akuzuar Korporata Energjetike e Kosovës nga punëtorët e ndërmarrjes “Kosova Thëngjilli”. Në protestën e mbajtur të premten para zyrave të KEK-ut, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje kanë treguar se që nga korriku i këtij viti 161 veta kanë mbetur pa punë.
“Kosova Thëngjilli” prodhon qymyr të tharë për KEK dhe ndërmarrje të tjera në vend.
Kjo kompani ka qenë në kuadër të KEK-ut deri në vitin 2003, kur është shndërruar në ndërmarrje publike e organizuar si shoqëri aksionare.
Protestuesit kanë kërkuar që t’i kthehen KEK-ut, siç kanë qenë deri në vitin 2003, ose t’i vazhdohet kontrata për të prodhuar thëngjill.
“Këtu e kemi një vendim të KEK-ut në 2019, që na i ka dhënë KEK-u, me na kthye prapë ku e kemi pasur vendin, në KEK. Në vitin 2003 neve na kanë ndarë prej KEK-ut, jemi kompani prodhuese ku bëjmë tharjen e thëngjillit dhe na kanë ndarë ish-menaxherët e KEK-ut, që ndërroheshim si ndërroheshin pushtetet”, ka thënë Skënder Llugiqi, punëtor i “Kosova Thëngjillit”.
Edhe
Kosova importoi thëngjill në vlerë 6 milionë euro në vitin 2024-n
Kryetari i aksionarëve të kësaj ndërmarrjeje, Imri Restelica, ka thënë se ka disa muaj që punëtorët kanë mbetur pa punë e pa të ardhura.
“Sot jemi duke protestuar para KEK-ut, të bisedojmë me zyrtarët që të shqyrtojnë mundësinë për fillimin e punës, për vazhdimin e kontratës apo për kthimin në KEK. Qe 7 muaj jemi pa marrëdhënie të punës. Ne jemi 160 punëtorë, kemi punëtorë të vjetër, kemi punëtorë me përvojë dhe eksperiencë të madhe, kemi inxhinierë të ndryshëm”, ka thënë Restelica
Organizatorët e protestës kanë treguar se KEK-u ka eksportuar qymyrin e prodhuar nga kjo kompani me vlerë deri në 5 milionë euro në vit. Por tash, sipas Kushtrim Lecit, anëtar i bordit të kësaj ndërmarrjeje, KEK-u ka ndërprerë kontratën me ta, sepse thëngjilli që prodhojnë është zëvendësuar me import nga jashtë.
“Deri te kjo protestë ka ardhur për shkaqe të ndërprerjes së kontratës së furnizimit me qymyr, e cila ka ndodhur më 1 korrik 2022. Është fatkeqësi e jona...., flemë mbi thëngjill, jemi ndër 5 vendet më të pasura në botë me sasi të rezervave të qymyrit, e më e keqja që importohet nga Serbia, Turqia e vende të tjera rreth 6.8 milionë për vitin 2022 ”, ka thënë Leci.
Në KEK kanë thënë se nuk ka obligime ndaj “Kosova Thëngjillit”, pasi kontratën e lidhur me ta e kanë përmbushur plotësisht.
Edhe
Protesta e punëtorëve të “Kosova Thëngjillit”, u arrestua një protestues
“Kontrata në fjalë përcaktonte shitjen e një sasie prej 300,000 tonë thëngjilli. Sasia e përcaktuar në kontratë ishte liferuar në tërësi, me ç‘rast rreth 175,000 tonë ishin marrë në vitin 2021, ndërsa sasia mbetur (rreth 125,000 tonë) ishte marrë gjatë vitit 2022. Si rrjedhojë, kontrata ishte përmbyllur plotësisht”, ka thënë zyrtari i Departamentit për marrëdhënie me publikun në KEK, Skënder Bucolli.
Protesta e së premtes nuk është e para nga punëtorët e “Kosova Thëngjillit”. Ata kanë protestuar edhe para Ministrisë së Ekonomisë.