Punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës, të cilat janë në grevë tash e disa javë, nuk janë në dijeni nëse kompania “Schafberger” për shërbime të pastrimit dhe mirëmbajtjes, i ka hequr nga lista e punëtorëve ose jo.
Kryetarja e Sindikatës së Punëtorëve Teknikë të Kuvendit të Kosovës, Nazife Krasniqi, e ka vënë në pikëpyetje përjashtimin e tyre nga lista e punëtorëve.
“Ne nuk e dimë, listë nuk kemi parë. Disa punëtorë janë brenda. Nuk na kanë njoftuar askush nëse jemi përjashtuar nga lista ose jo. Ne po vazhdojmë të qëndrojmë pranë Kuvendit”, ka thënë ajo.
Kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se punëtoret nuk mund t’i heqë nga lista askush gjatë kohës sa janë në grevë.
“Sot kemi pasur një takim me kryeinspektorin e Punës dhe bashkëpunëtorët e tij. Këta punëtorë nuk i heq nga lista askush derisa janë në grevë. Jemi në listë, veprimet e kompanisë, duke i marrë punëtorët e tjerë nga jashtë janë antiligjore. Ne do të jemi komod sepse çdo minutë i qëndrimit në grevë paguhet”, ka thënë ai për KOHËN.
Azemi ka shtuar se kompania do të paditet për veprimet që po i ndërmerr.
“Brenda po bëhen disa lojëra, nëse sot e nesër nuk na thërrasin, duhet identifikuar këto punëtore që kanë ardhur të reja prej të premtes, e sot edhe pak më shumë dhe pastaj të iniciojmë padi ndaj kompanisë për këto veprime”, ka thënë Azemi.
Ai tutje ka njoftuar se do të ketë edhe protestë nga ora 13:00, nga organizata joqeveritare “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”.
KOHA ka dërguar pyetje edhe te kompania “Schafberger”, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Kuvendi është duke u mbajtur përgjegjës se ka lejuar që punëtoret teknike të këtij institucioni, të cilat prej 10 javësh janë në grevë, të paguhen më pak sesa që e thotë ligji.