Kuvendi është duke u mbajtur përgjegjës se ka lejuar që punëtoret teknike të këtij institucioni, të cilat prej nëntë javësh janë në grevë, të paguhen më pak sesa që e thotë ligji. Punëtoret kanë kërkuar zgjidhje të menjëhershme pasi që kompanisë, e cila i pagoi nën pagën minimale, të enjten do t’i skadojë kontrata me Kuvendin. Pos legjislativit, paga nën minimumin sa e lejon ligji kanë dhënë edhe operatorë të tjerë ekonomikë që kanë kontrata me institucione të ndryshme shtetërore
Në javën e nëntë të grevës, punëtoret teknike të Kuvendit kanë ende shpresë se kërkesat e tyre për kushte më të mira të punës dhe pagë dinjitoze do të plotësohen. Ato kanë kërkuar pagë prej 550 eurosh nga kompania “Schafberger”, e cila është e kontraktuar nga Kuvendi për mirëmbajtjen higjienike dhe teknike të objektit.
“Kërkesa jonë është që pesëqindepesëdhjetë euro të bëhet paga jonë, se është e arsyeshme sepse punë ka shumë. Këtu ka delegacione, ka vizita, ka komisione, mbahet seanca, vazhdon seanca, rrimë pas seancës, me orar të stërzgjatur, vijmë vikendeve, ajo pagë që e kemi kërkuar ne është e arsyeshme”, është shprehur Nazife Krasniqi, përfaqësuese e punëtoreve teknike të Kuvendit.
Në kontratën e lidhur për 6 muaj për shërbime të pastrimit dhe të mirëmbajtjes, paga e punëtorëve është përcaktuar të jetë 275 euro neto. Ato janë paguar në këtë vlerë edhe në tetor, ani se në fillim të këtij muaji ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë për rritjen e pagës minimale në 350 euro.
Në Kuvend nuk u janë përgjigjur pyetjeve të adresuara gjatë së mërkurës nga KOHA se si ky institucion ka lejuar që me kontratën e dhënë të shkelet ligji dhe që punëtorët të paguhen më pak sesa vlera e pagës minimale të lejuar në Kosovë.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, e ka kualifikuar të papranueshme që Kuvendi nuk i vë në zbatim ligjet që i miraton.
“Është shkelje ligjore në rend të parë, sepse pagat tona kanë qenë në kundërshtim me Ligjin e pagave, janë në kundërshtim tani edhe me ligjin e që është aprovuar paga minimale, sepse këta punëtorë kanë marrë 275 euro. Paga minimale dihet që nga një tetori është në fuqi me 350 euro, domethënë është shkelje ligjore, të cilat ndoshta diku mund të guxojnë të ndodhin, por të ndodhë mu aty ku krijohen ligjet, ku bëhen ligjet, kjo nuk guxon të ndodhë”, ka thënë ai.
Njohës të prokurimit publik kanë konsideruar se Ministria e Financave është dashur që ta parashikojë barrën financiare nga kontratat e prokurimit publik, në kohën kur e ka rritur pagën minimale.
Diana Metushi, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka theksuar se Kuvendi është dashur që t’i kërkojë Ministrisë së Financave mjete shtesë për kompensim të pagave.
“Kuvendi në momentin që është marrë një vendim i tillë, është dashur t’i drejtohet Qeverisë që të kërkojë kompensim për kontratën në fjalë. Biznesi patjetër që e ka rolin e vet, meqë në momentin që është marrë një vendim i tillë prapë është dashtë t’i iniciojë bisedat për përmbushjen e një akti, një norme ligjore në fuqi kundrejt punëtorëve të vetë. Kështu që, në këtë në këtë vazhdë të dëmtimit të punëtorëve në Kuvend të gjithë pak a shumë janë pjesëmarrës në neglizhimin e situatës të krijuar pas vendimit për rritjen e pagës minimale”, ka thënë ajo.
Paga nën minimumin e lejuar me ligji kanë dhënë edhe operatorë të tjerë ekonomikë, të cilët kanë kontrata me institucione të ndryshme shtetërore.
“Së paku diku rreth dhjetë institucione shtetërore kemi të dhëna që kanë vazhduar me trendin e vjetër, që këta punëtorë të paguhen me pagë dyqind e pesëdhjetë euro dhe dyqind e shtatëdhjetë e pesë euro. Vendimi i Qeverisë së Kosovës fare nuk ka ndikuar ta”, ka thënë Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat.
Kompanisë “Schafberger”, në të cilën gjatë së mërkurës nuk kanë dhënë kurrfarë komenti në pyetjet e KOHËS për çështjen, më 14 nëntor do t’i skadojë kontrata me Kuvendin. E punëtoret teknike të Kuvendit, të cilat kanë kërkuar zgjidhje në të gjitha instancat, kanë shprehur drojë për fatin e tyre pas kësaj date.
Kërkesat i kemi dërguar edhe te operatori, edhe te Kuvendi. Përgjigjet zyrtare nuk i kemi, po presim. Nesër operatorit i skadon kontrata, nuk dimë tutje çka do të ndodhë me ne”, ka theksuar përfaqësuesja e tyre.
Në gusht, Kuvendi kishte hapur tender për mirëmbajtjen higjienike të objektit por në këtë tender ka ofertuar vetëm kompania “Schafberger”, e cila aktualisht i mbulon këto shërbime. Mbi arsyet se nuk ka pasur oferta të përgjegjshme, ky tender është anuluar nga Kuvendi në fund të tetorit.
Organizata të shoqërisë civile të mërkurën kanë kërkuar që Kuvendi të mos e përzgjedhë këtë kompani dhe që punëtoret e mirëmbajtjes të punësohen si punëtore të administratës së këtij institucioni.
“Kryetari i Kuvendit dhe Sekretariati të marrin vendim që punëtoret e mirëmbajtjes t’i punësojnë si punëtore të administratës së Kuvendit. Kjo do t’i kontribuonte drejtpërdrejt rritjes së mirëqenies së punëtoreve, pasi që ato nuk do të trajtoheshin si mall, i cili tenderohet kohë pas kohe por do t’iu ofronte siguri dhe dinjitet në punë... Nëse përzgjidhet kjo kompani, garantohet shtypja e mëtejme e punëtorëve nga kompania, e cila ose do ta përgjysmojë numrin e punëtoreve në mënyrë që të mos e lëvizë profitin e saj, ose do të vazhdojë me shkelje edhe të vetë ligjit për pagën minimale, siç ka ndodhur edhe në tetor”, është thënë në reagimin e grupit organizativ të protestave në solidaritet me grevistet, i përbërë nga aktivistë të pavarur, Kolektivi Feminist dhe Përpjekja.
Ky grup ka kërkuar edhe amendamentimin e ligjeve për mbrojtjen e punëtorëve.