Ish-punëtoret teknike të Kuvendit, të cilat u larguan nga puna nga kompania “Schafberger”, do t’i drejtohen të premten gjykatës, nëse deri atëherë kjo kompani nuk i kthen në punë. Do ta bëjnë këtë, pasi Inspektorati i Punës ka konstatuar se në rastin e tyre janë shkelur ligjet. Ato u përjashtuan nga puna pasi mbajtën grevë me kërkesën për rritje të pagave
Ish-punëtoret teknike në Kuvend shfaqën pritjen që pas raportit të nxjerrë nga Inspektorati do t’i kthejë në punë kompania “Schafberger”, së cilës iu ripërtëri kontrata nga Kuvendi për pastrimin e ndërtesës.
Nazife Krasniqi, punëtore prej mbi 20 vjetësh në Kuvend, thotë se është vështirë për të që pas gjithë kontributit që dha të largohet nga puna veç pse me grevë kërkoi kushte e pagë më të mirë.
“E kemi bërë si shtëpinë e dytë, kemi shkuar, kemi punuar, pavarësisht vështirësive ne kemi punuar. Kemi punuar 20 vjet. Është shumë e vështirë tash me dalë prej aty e me mbetë pa punë. Me dalë prej aty është shumë vështirë”, ka thënë ajo.
Më 27 nëntor Inspektorati i Punës ka nxjerrë një raport zyrtar, nëpërmjet të cilit ka konstatuar se kompania “Schafberger” ka bërë disa shkelje me largimin nga puna të 15 punëtoreve teknike.
Sipas Inspektoratit, kompania shkeli Ligjin e punës, Ligjin për grevat dhe Ligjin për pagën minimale.
Kësisoj, asaj i është kërkuar eliminimi i këtyre shkeljeve brenda tri ditësh pas pranimit të raportit. Në të kundërtën ndaj saj janë paralajmëruar masa.
Prej dy ditësh kompania nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS përkitazi me raportin.
E, në Inspektorat thanë se ende nuk kanë marrë konfirmim nga posta se kompania e ka pranuar raportin.
Ndërkaq në Sindikatën e Punëtorëve të Sektorit Privat paralajmërojë se nëse deri të premten kompania nuk i kthen në punë punëtoret, do t’i drejtohen gjykatës.
“I vetmi institucion zyrtar në Kosovë që e ndan drejtësinë mes punëdhënësit dhe punëmarrësit është Inspektorati i Punës për të cilën ne duhet t’i bindemi edhe si sindikatë dhe si operatorë ekonomikë... Nëse kompania edhe nesër nuk i thërret këta punëtorë me u kthye në Kuvend, ku kanë qenë ato, ne normal që lëndën e përcjellim në gjykatë”, ka deklaruar Jusuf Azemi, kryetar i sektorit privat.
Në bazë të legjislacionit sekondar, Inspektorati mund t’i shqiptojë gjobë kompanisë deri në 10 mijë euro për shkeljet që lidhen me diskriminim dhe të drejtën e grevës.