Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se të hënën, 8 nëntor, do të protestojë para Qeverisë së Kosovës. Qëllimi i protestës është “sensibilizimi i opinionit dhe udhëheqjes vendore lidhur me gjendjen e rëndë sociale të punëtorëve shëndetësorë”.
Përmes protestës FSSHK-ja ka thënë se po kërkon që të rregullohet gjendja sociale e stafit shëndetësorë me Ligjin për Paga. Ata madje kanë kërkuar implementim të këtij ligji qysh nga janari i vitit të ardhshëm.
“Kërkesa jonë madhore është rregullimi i gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësorë përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga janari i vitit 2022. Kërkojmë nga Qeveria dhe nga gjithë popullata që të kuptojnë qartë kërkesën tonë e cila nuk është aspak politike, por kërkesë e cila ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e statusit dhe mirëqenien e të punësuarve në sektorin publik e të punëtorëve shëndetësorë në veçanti. Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kërkon që Qeveria të jetë transparente dhe bashkëpunuese me organizatat sindikale në përpilimin e draftit të Projektligjit për Pagat në sektorin publik”, thuhet në njoftimin e FSSHK-së.
Protesta do të mbahet me fillim prej orës 10:00.