Punëtorët praktikantë të ndërmarrjes publike “Trepça” janë ankuar se nuk u janë ekzekutuar pagesat prej 100 eurosh për 3 muaj.
Sipas tyre, 120 praktikantë nuk kanë marrë pagën për muajin prill, maj dhe qershor.
Praktikanti Arsim Musa ka thënë se arsyetimi që marrin është gjendja e keqe financiare e ndërmarrjes “Trepça”.
“Nuk është reale të thuhet nuk kemi mjete e nuk është gjendja financiare e mirë. Nuk është faji ynë për këtë, po shpresojmë që sa më parë të na japin 300 eurot të cilat na takojnë”, ka thënë praktikanti Musa për KOHËN.
Musa ka deklaruar se përveç kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani, për këtë çështje kanë provuar të kontaktojnë edhe me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe zëvëndësministrin Getoar Mjeku, por nuk kanë marrë përgjigje.
KOHA ka provuar të kontaktojë me kryeshefin e “Trepçës”, por nuk ka qenë i qasshëm në telefon.
“Nuk janë kush e di se sa një barrë e madhe për Qeverinë mjetet tona. Do të thotë një asistent i deputetit merr pagesë sa 6 praktikantë si ne”, ka shtuar Arsim Musa.
KOHA ka raportuar në maj të këtij viti se si nuk u janë plotësuar kushtet e kontratës për pagesën prej 100 eurosh, sigurimi i ushqimit dhe udhëtimit.
Ndërmarrja publike “Trepça” ka hapur konkurs për 180 pozita për praktikantë më 25 maj të vitit të kaluar. Grupi i parë e kishte filluar punën në fillim të korrikut të vitit të kaluar dhe e kanë përfunduar më 30 dhjetor.
Ndërsa, grupi i dytë prej 120 punëtorëve ka filluar më 16 janar dhe do ta përfundojë më 15 korrik.