Të pakënaqur me trajtimin në ndërmarrjen publike “Trepça” janë deklaruar disa nga 120 praktikantët e angazhuar nga janari i këtij viti. Përveç vonesës në pagesën e 100 eurove në muaj ata janë ankuar edhe për moskompensimin e ushqimit e të udhëtimit. Në mbështetje të tyre janë deklaruar përfaqësues të sindikatës së “Trepçës” dhe të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat. Kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Enis Abdurrahmani, i ka quajtur të pavërteta akuzat
Punëtorët praktikantë të ndërmarrjes publike “Trepça” janë ankuar se nuk u janë përmbushur kushtet e kontratës për angazhimin e tyre. Sipas tyre, në konkurs është paraparë pagesa 100 euro dhe sigurimi i ushqimit e i transportit. Në “Trepçë” nga 16 janari janë angazhuar 120 praktikantë. Në mesin e tyre edhe Arsim Musa, i cili tregon edhe për punët që bëjnë në Minierë. Ai e ka cilësuar të padrejtë që një praktikant të marrë pagesën me vonesë, përderisa sipas tij, një “punëtor i rregullt që bënë punën e njëjtë të paguhet 1200 euro dhe të ketë ushqimin e siguruar”.
“Ne kemi aplikuar të gjithë për punë praktike për punëtorë të thjeshtë në minierë, ndihmësxehetari, transport, makineri. Kemi punuar edhe në punë për pastrimin e minierës në përgjithësi dhe jashtë minierës. Të gjitha punët që i kanë punuar punëtorët e rregullt në kontratë, na kanë ofruar edhe neve si praktikantë për me i kry”, është shprehur Musa.
Edhe të tjerë praktikantë janë ankuar për vonesat që po u bëhen në pagesa dhe për mossigurimin e ushqimit.
“Qe katër muaj i kemi plotësuar dhe kemi marrë pagesë vetëm dy herë për tre muaj. Do të thotë, bukë-ushqim nuk ka, nuk ka uniformë, nuk ka as transport. Po nejse, për transport na banorët që jemi afër Trepçës nuk kemi nevojë, por për këta tjerët është problem me udhëtu se nuk kanë transport”, ka treguar Fitim Sadiku.
E Tahir Tahiri ka thënë se ushqimin e sigurojnë vetë.
“Transportin qashtu vetë qysh të mundemi me shku”, ka thënë Tahiri, i cili shpreson se pas përfundimit të praktikës do të punësohet ashtu siç i kanë premtuar.
E praktikanti Fitim Sadiku, ka thënë se kanë biseduar me menaxhmentin e Trepçës, por që sipas tij, përgjigjja e tyre ka qenë se gjendja ekonomike e kësaj ndërmarrjeje është e rëndë.
“Na kanë thënë se për tani nuk kemi mundësi për ushqim ose për gjëra të tjera, duhet me pritë ndonjë investim ose prej Qeverie diçka, meqenëse nuk ka reaguar asgjë Qeveria”, ka thënë ai.
Në mbështetje të kërkesave të tyre janë deklaruar përfaqësues të sindikatave.
Ibrahim Jonuzi, kryetar i Sindikatës së minatorëve në “Trepçë”, ka thënë se është e domosdoshme që praktikantët të punësohen, meqë sipas tij 40 deri 50 persona në vit pensionohen. Ai e konsideron të pamjaftueshme pagë prej 100 eurosh për praktikantët.
“Në bazë të Ligjit duhet të kompensohet me shumën 50% të pagës bazë të një punëtori të thjeshtë të Minierës. Mendoj që kjo nuk është praktiku ose nuk është përmbushur ky kriter... Paga prej 100 eurosh nuk është e mjaftueshme”, ka thënë Jonuzi.
Ankesat e praktikantëve të “Trepçës” i ka mbështetur edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai ka thënë se dy pagesat e fundit që u janë bërë praktikantëve kanë qenë rezultati i reagimit të tij dhe Inspektoratit të Punës.
“Ne do të presim edhe një javë deri në 10 ditë dhe nëse këto nuk i realizon kompania, atëherë ne duhet të intervenojmë dhe jemi tepër të sigurt se këto duhet të kryhen një afat sa më të shkurtër”, u shpreh Azemi.
Kryeshefi i ndërmarrjes publike, Enis Abdurrahamani, nëpërmjet telefonit i ka mohuar akuzat e praktikantëve. Ai ka thënë se “Trepça” i ka kryer obligimet ndaj praktikantëve dhe se gjatë javës do të ofrojnë dëshmi të cilat i nxjerrin si të pavërteta pretendimet e tyre.
Ndërmarrja publike “Trepça” ka hapur konkurs për 180 pozita për praktikantë më 25 maj të vitit të kaluar. Grupi i parë e kishte filluar punën në fillim të korrikut të vitit të kaluar dhe e kanë përfunduar më 30 dhjetor.
E grupi i dytë që po vijon praktikën ka filluar më 16 janar dhe do ta përfundojë në korrik.