Punëtorët e sektorit privat në Lipjan prej disa muajsh po i kërkojnë Komunës një rregullore për që përcakton orarin e punës së bizneseve, me arsyetim se po shkelen të drejtat e tyre në vendin e punës.
Sipas punëtorëve, dita e diel duhej të jetë ditë pushimi për të gjithë, pasi që shumica prej tyre nuk kanë as linja të transportit për qarkullim, raporton KOHA.
Reshat Terpeza, punëtor në një biznes privat në Lipjan, ka thënë se punonjësit kanë kërkuar që dita e diel të jetë ditë pushimi.
Ndërkaq Fadil Sopa, pronar i një biznesi, njëherësh këshilltar në Kuvendin Komunal të Lipjanit, ka qenë iniciatori që të hartohet nga Komuna një rregullore e tillë me qëllim që të dielën të pushojnë të gjitha bizneset afariste.
Ai ka sqaruar se situata e pandemisë mund të zgjasë edhe gjatë vitit të ardhshëm, andaj rregullorja duhet të hartohet sa më shpejt nga Komuna.
Në anën tjetër, në Komunën e Lipjanit kanë thënë se pas lehtësimit të masave do të miratohet në Kuvend kjo rregullore, e cila më së shumti mbron të drejtat e punëtorëve në vendin e punës
Sipas drejtorit për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Lipjanit, Bekim Shabani, në të ardhmen ditët e diela do të jenë ditë pushimi për të gjitha bizneset përjashtimisht në disa raste të caktuara.