Arbëri

Punëtorët e “Pastrimit” kërkojnë të jenë pjesë e Pakos Emergjente, kompania thotë inkasimi ka rënë për 95 për qind

Punëtorët e kompanisë Pastrimi janë të zhgënjyer me vendimin e fundit të Qeverisë, dhe kërkojnë që të përfshihen në Pakon Emergjente, pasi thonë se janë shumë të rrezikuar.

Arbnore Ademi, shefe e Zyrës së Informimit në kompaninë “Pastrimi”, në “Express Intervistën” ka thënë se tani punëtorët e kësaj kompanie janë edhe më të rrezikuar për shkak të pandemisë.

“Punëtorët vazhdimisht janë të rrezikuar, jo vetëm në këtë kohë të kësaj pandemie, por përgjatë 12 muajve. Porse tani niveli është edhe më i lartë. Kemi kërkuar që qeveria të rishqyrtojë vendimin dhe të përfshijë punëtorët, që janë rreth 2 mijë në nivel vendi, e vetëm në Prishtinë rreth 700”, ka thënë ajo.

Ajo thekson se edhe vëllimi i mbeturinave tani është shtuar, duke e ditur faktin se shumë qytetarë qëndrojnë në shtëpi.

“Në këtë periudhë kemi kërkesa nga komuna të ndryshme, në të cilat ne kryejmë këto shërbime. Ne shërbejmë në shtatë komuna, ku kemi bërë pastrimin dhe dezinfektimin e rrugëve, e largimin e mbeturinave inerte. Ndoshta e ka lehtësuar largimin e mbeturinave mungesa e trafikut, porse vëllimi i mbeturinave është më i madh, por kjo nuk na ka paraqitur problem”, ka thënë Ademi.

Ademi gjithashtu ka thënë se ka pasur rënie të madhe të inkasimit në muajin e fundit.

“Nëse flasim për të hyrat financiare, vërehet dukshëm rënia e inkasimit, pasi ka rënë në afro 90-95 për qind, që nënkupton se afër 5 për qind e qytetarëve kanë paguar. Shpresojmë se do të na përkrahë Qeveria dhe institucionet. Të gjitha mjetet që i sigurojmë kemi kosto të lartë të shpenzimeve, e edhe pagat e punëtorëve”, ka thënë Ademi.

Ademi shton se i janë drejtuar Ministrisë së Financave është për një hua, por edhe që puëntorët fizikë të përfshihen në Pakon Emergjente.

“Në xhirollogaritë tona kemi marrë pagat për muajin mars, kemi kërkuar ndihmë nga komunat por i jemi drejtuar edhe Qeverisë. Sidomos për punëtorët fizikë, që janë heronjtë e kësaj periudhe. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm patjetër do ta kemi të vështirë marrjen e pagave. Shpresojmë se institucionet t’i rishikojë pakon. Poashtu, përveç kërkesës për shtesat për punëtorët, kemi kërkuar nga Ministria e Financave një kërkesë për huamarrje”, ka thënë Ademi.

Ajo thotë se Kompania nuk ka arritur t’iu sigurojë punëtorëve sigurimin shëndetësor, porse u paguajën shujtat ditore.

“Kompania Pastrimi nuk ka pasur mundësi deri më tani t’iu ofrojë sigurim shëndetësor, por kanë shtesë shujtat ditore, por edhe gjatë festave aq sa kemi mundësi kompania iu ofron ndonjë shumë simbolike, por kjo varet nga pagesat e qytetarëve. Por, kjo shumë varet nga pagesat që kryejnë qytetarët”, ka thënë Ademi.

E borxhi i qytetarëve ndaj kësaj kompanie shkon në 20 milionë euro.

“20 milionë euro është borxhi që qytetarët kanë ndaj kompanisë Pastrimi, pasi ne jemi ndërmarrje me vetfinancim. Vazhdimisht mundohemi që të riformulojmë programin e informativës, por nuk do të thotë se nuk ka nevojë për përmirësime”, ka thënë Ademi.