Punëtorët e Korporatës Elektroenergjetike thonë se që nga viti 2011 nuk janë paguar për punën e bërë jashtë orarit. Të pakënaqur lidhur me këtë, ata i kanë filluar procedurat ligjore ndaj KEK-ut, duke kërkuar kompensimin
Me mëngjes, punëtorë të shumtë të Korporatës Elektroenergjetike ua mësyjnë dyerve të kësaj zyreje.
Ata presin në radhë për të dorëzuar dokumentacionet, në lidhje me rastin e kompensimeve të ditëve të fundjavës që kanë punuar jashtë orarit të punës, e për të cilat thonë se KEK-u nuk i ka kompensuar.
Sipas kërkesës së tyre, ky borxh arrin shifrën prej mbi tre milionë e 800 mijë eurosh.
Hasan Kosumi, njëri nga punëtorët e KEK-ut, thotë se që nga 2011-a nuk u është kompensuar shuma për punën e bërë jashtë orarit të punës.
“Kemi marrë vendimin për me na e qit paret e ndërrimeve që na kanë mbetur vikendeve. Me zgjedh problem, për me marrë autorizimin për me na e qitë. Prej 2011 paret e ndërrimit, të vikendeve nuk na u kanë paguar”, ka thënë ai.
Edhe Nazmi Xhemajli, ekskavatorist në KEK, tregon që telashet me këtë pagesë janë të kamotshme. Ai flet për procedurat ligjore që ata i ndërmorën.
“Na kemi bo ankesë përmes avokatit. Avokati i ka fitu 3 seancat edhe tash është marrë vendim sipas avokatit, që ato pare kanë me na u dorëzu neve punëtorëve që kemi bërë ankesë“, ka thënë ai.
Xheladin Osmani është njëri nga avokatët që po merret me çështjen e këtyre pagesave.
Sipas tij, rasti është në gjykatë që nga viti 2012 dhe ka kaluar nëpër të gjitha procedurat ligjore.
“Deri tash Gjykata Themelore e ka aprovuar, Gjykata e Qarkut e ka vërtetuar aktgjykimin, Gjykata Supreme gjithashtu sipas revizionit paditës dhe ka vendosur në favor tonë përkatësisht e ka refuzuar revizionin. Kemi marrëveshje e cila është e nënshkruar nga punëtorët, është në suaza ligjore”, ka deklaruar ai.
Koha i ka dërguar pyetje KEK-ut për të marrë më shumë hollësi rreth arsyeve të mospagesës, por përgjigje nuk ka marrë.