Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Punëtorët akuzojnë KEK-un për tenderë: Stop dallavereve, edhe ne kemi fëmijë

Shoqata Sindikale “Siguria Fizike” në KEK ka protestuar të hënën para zyrave të kësaj korporate në Prishtinë. Ata kanë kërkuar kthimin si punëtorë të KEK-ut dhe jo të tenderohen vazhdimisht siç theksuan jashtëligjshëm në sektorin privat.

Kryetari i kësaj shoqate, Nexhat Murati tha se do të mbajnë grevë me datën 13 të këtij muaji, pasi që sipas tyre janë informuar që KEK-u së shpejti do të shpall tenderë të tjerë në mënyrë të paligjshme. Ai theksoi se do të mbajnë grevën nën tendë para zyrave të KEK-ut.

“Ne me 13 nëntor kemi paralajmëruar grevë urie, dhe po kërkojmë drejtësi dhe në bazë të dokumenteve që i posedon edhe KEK-u. Ne i kërkojmë KEK-ut një takim urgjent për me na dhënë një mundësi që të mos hyjmë në grevë me datën 13 të këtij muaji. Janë rreth 200 protesta që i kemi bërë rreth kësaj çështje, ne po kërkojmë drejtësi dhe drejtësia është në anën tonë dhe nuk do të ndalemi asnjëherë. Të shtunën i kemi njoftuar njerëzit për këtë protestë, sepse kemi marrë vesh që KEK-u po shikon me shpall tenderë prapë në mënyrë të paligjshme. Këtë grevë do ta mbajmë pikërisht këtu, me një tendë më datë 13 ku lejen e kemi marrë nga komuna dhe policia. Kërkojmë një zgjidhje sa më të shpejtë që është e mundur për këta punëtorë. Dhe të na kontaktojnë menjëherë, sepse ikin edhe nga takim, sepse e konsiderojnë vetën të pasigurt e fajtorë, nuk dinë çfarë të na thonë”, tha Murati.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica tha se punëtorët kanë paga të ulëta.

“Këta punëtorë kanë paga shumë të ulëta , dhe sigurimi i KEK-ut nuk është një sigurim i mirë, ashtu siç mund të jetë brenda kompanisë së KEK-ut. Është në interes të përbashkët edhe të KEK-ut dhe punëtorëve, dhe qeverisë sepse KEK-u është një shërbim jetik dhe shumë i rëndësishëm për vendin dhe shumë më mirë kishte me qenë po të kishte një siguri te vetë sesa një kompani private,” theksoi Llumnica./ KSP