Shkeljet e pretenduara të Ministrisë së Punëve të Jashtme do të trajtohen nga Agjencia Kundër Korrupsionit. KOHA ka publikuar së fundmi dosjet përkitazi me emërimet dhe gradimet e paligjshme, të cilat janë deponuar në Agjenci nga Shoqata Sindikale e MPJ-së.
Kjo është konfirmuar nga AKK-ja nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.
“Sipas Ligjit për Agjencinë Kundër Korrupsionit, për çdo dyshim të korrupsionit të raportuar, Agjencia fillimisht vlerëson inicimin e procedurës së hetimeve paraprake, ku në rast të inicimit të kësaj procedure ndërmerr masat e caktuara për kërkimin, mbledhjen, hulumtimin dhe analizon dokumentacionin dhe informacionin relevant, si dhe ekzaminon rrethanat që kanë lidhje me rastin”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë.
Sipas këtij institucioni, të gjitha veprimet e AKK-së ndërmerren pas ekzaminimit të rastit dhe verifikimit të shkeljeve të pretenduara.
“Rrjedhimisht, Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se të kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi”, kanë thënë në AKK.
Edhe
Paligjshmëritë në Ministrinë e Jashtme, kërkohet ndërhyrja e Agjencisë Antikorrupsion
Një ditë më herët, KOHA ka raportuar se tetë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë marrë grada diplomatike fundvitin e kaluar nëpërmjet një procesi që është shoqëruar me shkelje të shumta ligjore.