Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pula për masat e BE-së: Kosova po atakohet në moment delikat

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, derisa ka thënë se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës nuk janë fare risi, ka vlerësuar se Kosova po atakohen në një moment shumë delikat.

I ftuar të martën në “Konfront” të KTV-së, Pula ka thënë se vendosja e këtyre masave e rëndojnë edhe më tepër pozitën politike të Kosovës.

“Këto janë masa, vërejtje që i bëhen Kosovës, nuk janë risi fare, në rajon ka pasur edhe masa ndaj vendeve tjera, Serbisë e Malit të Zi. Ajo që është e çuditshme është që Kosova po atakohet në një moment shumë delikat kur në veriun e vendit kemi një gjendje të tensionuar, kur jemi duke u përballur me kërkesa shpeshherë të paqëndrueshme dhe të paarsyeshme rreth dialogut dhe këto masa e rëndojnë edhe më tepër pozitën politike të shtetit të Kosovës. Prej vitesh tashmë kemi një dëshpërim të madh në raport me Brukselin zyrtar e në veçanti nga 2018-ta e këndej”, ka thënë ai.

Masat ndëshkuese sipas Pulës janë instrumente të caktuara të Brukselit përmes të cilave mundohet ta bindë klasën politike që t’i realizojë qëllimet e tij.

“Nuk duhet të befasohemi për këto veprime të Brukselit zyrtar sepse konsiderohen instrumente të caktuara të tyre që përmes këtyre rrugëve mundohen ta bindin klasën politike për t’i realizuar qëllimet e tyre pavarësisht që ne jemi në momente kur po veprohet në bazën e forcës dhe jo në bazën e të drejtës”, është shprehur ai.