Drejtori i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, Dren Puka, derisa ka folur për zërin e qytetarëve në konsultimet publike dhe vendimmarrje, ka thënë se shumica e komenteve nuk trajtohen fare.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së ai ka shtuar se edhe ato komente të cilat trajtohen, kryesisht refuzohen për arsye të përgjithshme.
“Ka trend të rënies së numrit të pjesëmarrësve në platformë. Në vend të përmirësimit, trendi ka shkuar duke rënë për dy arsye, e para më 2024 platforma online në aspekt teknik nuk ka funksionuar për një pjesë të konsiderueshme të vitit. E dyta është që raportet e konsultimit publik në masë të madhe nuk publikohen. Për shumicën e dokumenteve, ti nuk e di se çka ka ndodhur. Kjo është edhe më keq sesa të dihet se nuk është marrë parasysh. Në masë të madhe komentet edhe kur trajtohen, refuzohen. Arsyet e refuzimit janë të përgjithshme dhe thuajse të njëjta për të gjitha komentet”, ka thënë ai.
Ai madje ka kritikuar institucionet se për mbi 250 draftpolitika që janë publikuar për konsultim publik vitin e kaluar, për asnjë prej tyre nuk ka pasur takim fillestar konsultativ.
“Për 261 draftpolitika që janë publikuar për konsultim publik në vitin 2024, për asnjë prej tyre nuk ka pasur takim fillestar konsultativ. Gjatë monitorimit tonë e kemi vërejtur se ka keqkuptim të skajshëm edhe prej zyrtarëve publikë se çka do të thotë takimi fillestar, shumica e ngatërrojnë me takim konsultativ pas draftit të politikës, por kjo ka natyrë krejt tjetër dhe qëllimi është që të informohen palët para se të nisë hartimi i një politike”, ka thënë ai.