Përfshirjen e Kosovës në Nismën për Anëtarët Kandidatë për Zgjerim, të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (ECMI), Dren Puka nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, e ka quajtur lajm të madh.
Sipas Pukës, tashmë shoqëria civile do të ketë përfaqësim dhe ndikim në agjendën e Bashkimit Evropian.
“Lajmi i mirë për Kosovën është që ne si shoqëri civile dhe sindikatat e Kosovës do të mund të jemi pjesë e të gjitha diskutimeve për politika në nivel të Bashkimit Evropian, përkundër që nuk jemi anëtarë të Bashkimit Evropian do të mund të jemi pjesë e të gjitha diskutimeve që ndodhin”, deklaroi Puka në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Megjithatë për shkak se Kosova nuk është anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, nuk ka të drejtë vendimmarrjeje në këtë komitet.
Të gjitha organizatat nga Kosova nuk mund të përfshihen në këtë komitet sepse ka numër të kufizuar të organizatave që përzgjidhen për secilin shtet. Kosova do të ketë nga gjashtë deri në tetë anëtarë të përzgjedhur në këtë komitet.
Puka ka folur edhe për vizitën e presidentes së Komisionit Evropian Von der Leyen në Kosovë, e cila sipas tij po e gjen vendin tonë pa një qeveri mandatplotë, si dhe pasojat e kësaj.
“Mungesa e një Kuvendi për shumë muaj, nga shkurti deri në tetor dhe mungesa e një qeverie me mandat të plotë do të përdoret fatkeqësisht si argument që ne edhe nëse dëshirojmë të diskutojmë dhe të shtyjmë përpara çështje të integrimit evropian, aktualisht nuk kemi institucione me mandat të plotë dhe fatkeqësisht këtë po dëgjojmë vazhdimisht në konferenca të ndryshme”, deklaroi Puka.
Von der Leyen, do të vizitojë nesër Kosovën, në kuadër të një turneu nëpër të gjitha gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Kjo është vizita e saj e parë në rajon në mandatin e dytë në krye të Komisionit Evropian.