Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PTK-ja u dha miliona euro në emër të qirave personave nga politika apo të lidhurve me të

Një mijë e 40 metra katrorë, thuhet se është hapësira e këtyre dy kateve të këtij objekti që shfrytëzohen me qira nga Telekomi i Kosovës.

Shtëpia, e cila ndodhet në mesin e “Lagjes së Doktorëve” në Prishtinë, është në pronësi të ish-deputetit të PDK-së, Rrustem Mustafa, raporton KTV-ja.

Kjo vërtetohet bazuar në të dhënat që vetë Mustafa, tash këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, i ka deklaruar ndër vite në Agjencinë kundër korrupsionit.

Si deputet, në vitin 2014 kishte deklaruar shumën prej 96 mijë euro në vit për qiranë e këtij objekti, por tani e ka hequr tërësisht nga deklarimi çmimin e kësaj qiraje.

Kontratat që Telekomi i Kosovës ia ka ofruar KTV-së, thonë se objekti është nën menaxhimin e vëllait të tij, Bedri Mustafës.

Edhe Telekomi braktis qiratë e shtrenjta Arbëri Telekomi braktis qiratë e shtrenjta

Sipas dokumentacionit, që nga viti 2005, Telekomi ka kontratë për shtëpinë dykatëshe të Rrustem Mustafës. Por, në realitet, objekti është katërkatësh dhe dy nga to shfrytëzohen nga Telekomi dhe Posta.

Edhe pse Telekomi ka fshehur çdo të dhënë ku përshkruhen çmimet, Kohavisioni ka marrë vesh se qiraja mujore për këtë hapësirë është 10 mijë e 840 euro.

Në një kalkulim të thjeshtë i bie se Telekomi ka paguar 10 euro e 42 centë për metër katrorë.

Sipas të dhënave të siguruara nga televizioni, deri më tash, në konton e Bedri Mustafës janë derdhur 2 milionë e 172 mijë euro.

Kohavisioni ka pyetur ekspertë të patundshmërisë në kryeqytet për çmimin dhe kushtet e qirasë në këtë pjesë të qytetit dhe, sipas tyre, çmimet variojnë, varësisht nga kushtet e objektit, nga 4 deri në 9 euro.

Parcela ku ndodhet kjo shtëpi, sipas kontratave të qirasë, ka kaluar në pronësinë e familjes Mustafa në janarin e vitit 2001.

Edhe Telekomi nis negocimin e kontratave për të ulur qiranë mujore që tash është 7 mln € Arbëri Telekomi nis negocimin e kontratave për të ulur qiranë mujore që tash është 7 mln €

Sipas të dhënave që janë në kontratë, thuhet se “Qiradhënësi posedon pasuri me numër ngastre 2732/2 në Komunën e Prishtinës, me një sipërfaqe prej 1040 metrash katrorë, sipas Listës së Pjesshme Poseduese të Departamentit të Gjeodezisë të datës 9 janar 2001”.

Por, në të dhënat që gjenden në uebin e gjeo-portalit të Republikës së Kosovës, më 2001, në mesin e “Shtëpive të doktorëve” në Bregun e Diellit, nuk ekzistonte kjo shtëpi, por veç parcela.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, ka treguar se kjo pronë që është marrë me qira që nga koha kur PTK-ja është administruar nga ndërkombëtarët, konkretisht nga viti 2005 dhe është nënshkruar nga ish-drejtori Gavin Jeffer, shfrytëzohet si qendër e trajnimit për stafin e Telekomit.

Por, Istrefi ka bërë të ditur se kriza financiare e ka shtyrë t’i kërkojë uljen e qirasë në 50 për qind, ose në kundërtën, do ta ndërprisnin atë.

Mustafa ende nuk i ka kthyer përgjigje.

Ndryshe, Telekomi është duke shqyrtuar mundësinë që këtë qendër ta zhvendosë në Qendrën e Inovacionit në Prizren, ku Ministria e Inovacionit do t’ia lëshojë objektin për 0.50 centë për metër katrorë.

Edhe Kryeshefi i Telekomit të Kosovës e kërkon me qira Parkun e Inovacionit në Prizren Arbëri Kryeshefi i Telekomit të Kosovës e kërkon me qira Parkun e Inovacionit në Prizren

Kohavisoni ka provuar të vërë kontakt me Bedri Mustafën, për të marrë qëndrimin e tij, si për qiratë e marra deri më tash, por edhe për mundësinë e shkëputjes së kontratës, por ai ka refuzuar të flasë.


Detaje edhe për të tjera qira milionëshe të Telekomit ndër vite, mund t’i ndiqni sonte nga ora 21:00, në emisionin Cosmo.