Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PSD-ja pretendon se Nol Nushi u ndalua nga Policia pa ndonjë urdhërarrest

Partia Socialdemokrate ka kërkuar një hetim për policët dhe vijën komanduese për ndalimin e anëtarit të tyre, Nol Nushi, të shtunën në Prishtinë.

Siç pretendon PSD-ja, Nushi u ndalua në semafor teksa ishte në veturë rreth orës 16:00. Sipas tyre, Policia nuk ka prezantuar ndonjë urdhërarrest dhe e ka dërguar Nushin në stacionin policor në jug të Prishtinës.

“Kjo mënyrë e arrestimit pa prezantimin e fletarrestit i çel rrugë arbitraritetit. Reagimi ynë duhet të jetë i orientuar drejt kësaj mënyre funksionimi që lë vend për keqpërdorim nga pushteti, i forcave policore, në momente kur i duhet. Nëse i nënshtrohemi arbitrariteti sot, nesër përndjekja politike do të përligjet me veprime të tilla”, thuhet në reagimin e PSD-së.

Partia që udhëhiqet nga Dardan Molliqaj thotë se Nushit iu ndalua letërnjoftimi pasi u lirua nga stacioni një orë më vonë.

Për këto veprime, ata po kërkojnë hetime ndaj policëve pjesëmarrës.

KOHA ka kontaktuar me Policinë për rastin, por ende nuk ka marrë përgjigje.