Partia Socialdemokrate ka akuzuar Policinë e Kosovës se ka shkelur çdo normë ligjore në bastisjen që ia ka bërë Ndërrmarrjes Publike Banesore (NPB), siç pretendon kjo parti, që ka ndodhur tre ditë më herët.
Përmes një konference për shtyp të premten, PSD-ja ka thënë se një veprim i tillë i Policisë është i paprecedentë, që sipas tyre, është ndikuar nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.
PSD-ja thotë se Policia ka angazhuar si zëdhënës të veten në këtë operacion burrin e asistentes së kryeministrit Albin Kurti.
“Si asnjë herë më parë, Policia e Kosovës, duke shkelur çdo normë, kryen operacione. Një veprim i tillë vetëm sa e rritë dyshimin për institucionin e policisë. Tre ditë më herët, Policia e Kosovës zbaton një urdhër nga Gjykata Themelore e Kosovës për të kontrolluar Ndërmarrjen Publike Banesore. Në një veprim të paprecedent, Policia e Kosovës, gjatë zbatimit të këtij urdhëri, ka shkelur çdo normë ligjore e çdo nen të Kodit Penal në këtë luftë speciale. Fillimisht, siç nuk ka ndodh asnjëherë më parë, Policia e Kosovës kryen bastisje në një institucion publik pa i paralajmëruar mediat dhe sot e kësaj dite nuk ka lëshuar asnjë deklarim publik në lidhje me këtë. Por, siç u pa me konferencën e Vetëvendosjes sot, Policia e Kosovës ka angazhuar si zëdhënës të veten burrin e asistentes së kryeministrit Kurti i cili në atë konferencë kishte marrë peng edhe një deputet të parlamentit të Kosovës”, thuhet në reagimin e PSD-së.
Kjo parti gjithashtu pretendon se Policia gjatë bastisjes që ka zgjatur tre orë, i ka fikur kamerat e sigurisë për 55 minuta.
“Së dyti, prej rreth 3 orësh bastisjeje, për 55 minuta Policia e Kosovës ka fikur kamerat e sigurisë përbrenda NPB-së dhe iu ka ndaluar qasjen zyrtarëve të saj në dy kate të ndërtesës. Kjo është shkelje flagrante dhe e rrezikshme e Kodit Penal që ngrit dyshimin se Policia e Kosovës ka shkuar aty për të montuar dëshmi e jo për t’i gjetur ato”, vijon reagimi i PSD-së.
Sipas PSD-së, kjo nuk është betejë ligjore, porse Lëvizja Vetëvendosje po instrumentalizon e kriminalizon institucionet e Kosovës duke i shndërruar në grupe banditësh.
Edhe
Azemi: Komuna duhet të jetë më aktive në rastin e NPB-së
“Policinë e Kosovës e inkurajojmë që të hetojë NBP-në sepse nuk kemi asgjë për të fshehur. Por, shkeljet ligjore, futjen në institucione si grupe banditësh duke fikur kamerat e duke iu ndaluar zyrtarëve të NPB-së qasje në objekt, asnjëherë nuk do ta lejojmë”, përfundon reagimi i tyre.
Në konferencë për shtyp sot, LVV-ja ka përshëndetur aksionin e organeve të rendit për të hetuar ne lidhje me projektin e ndërtimit në lagjen Lakërishte nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), duke këmbëngulur se projekti është korruptiv dhe antiligjor.
Për këtë hetim dhe bastisje që pretendon PSD-ja, nuk ka pasur njoftim nga Policia për mediat.