Partia Socialdemokrate me një aksion para objektit të Qeverisë të mërkurën, ka thënë se dyshimi për skandalin financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nuk është izoluar vetëm në emrin e tij, pasi sipas tyre, ka edhe më shumë të përfshirë.
Zgjim Hyseni nga kjo parti ka thënë se vetëm mosdeklarimi i kompanive të Berishajt në Administratën Tatimore të Kosovës ka mjaftuar që ai të shkarkohet. Por Hyseni thotë se meqë Berishaj vazhdon të mbetet në detyrë, ata kanë të drejtë të besojnë se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani janë të lidhur direkt me këtë punë.
“Ky aktivitet ka për synim të paraqesë atë çka po ndodh në Kosovë ditët e fundit, pra aktivitetin e shpëlarjes së parave. Po bëhet një javë prej që ka plas skandali me ambasadorin e Kosovës në Kroaci. Krejt flasin, vetëm institucionet dhe eprorët e ambasadorit po heshtin. Ambasadori e ka hapur një xhirollogari në Mal të Zi, me vetëm vetën e tij punëtor dhe ka bërë tërheqje prej 600 mijë eurosh. Prejardhja e parave është Beogradi. Kushdo që bën tregti me Beogradin, është e vështirë të mos biesh në rrjetën me mafinë energjetike ballkanike. Berishaj është i sanksionuar prej Malit të Zi, kompanisë së tij iu kanë bllokuar llogaritë për shkak të evazionit fiskal. Nuk i ka deklaruar kompanitë në ATK, vetëm kjo ka mjaftuar që ai të shkarkohet. Berishaj i paska katër nënshtetësi, ai del të jetë edhe ambasador, profesor, por në të njëjtën kohë edhe sekser. Kjo nuk shkon. Krejt kjo aferë nuk është e izoluar me emrin e personalitetin e një ambasadori. Dje u kuptua që udhëheqësit e KEK-ut bashkë me Berishajn kanë bërë negociata bashkë. Ata e pranuan vetë. Janë udhëheqësit e emëruar prej Kurtit. Nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar. Secila ditë që kalon dhe ambasadori Berishaj vazhdon me qenë në detyrë, ne kemi drejtë me besu që kryeministri dhe presidentja janë të lidhur direkt me këtë punë”, ka thënë Hyseni.
Emri i Berishajt është përfshirë në një skandal financiar të raportuar nga një medium në Slloveni. Emri i tij është krahas kryetarit të partisë Lëvizja për Liri në Slloveni, Robert Golob, i cili të dielën i ka fituar zgjedhjet.
Sipas Planet TV, politikani slloven është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te kompania e ambasadorit kosovar MB Consulting.
Vetë Berishaj i ka mohuar këto akuza dhe ka paralajmëruar padi ndaj mediumit slloven.
Mbështetur në këtë raportim, kompania e Berishajt i ka marrë 600 mijë euro, të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.
Raportimi për përfshirje të Berishajt në shpëlarje të parave ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Partitë opozitare, të cilat ditëve të fundit kanë bërë përpjekje për themelim të një komisioni hetimor për krizën energjetike në vend, por që kanë dëshrtuar deri më tash, e kanë lidhur këtë me rastin e Berishajt.