Me shpërndarje testesh nëpër rrjete sociale e ankesa për përsëritje pyetjesh është shoqëruar edhe Provimi i Maturës, ashtu si Testi i Arritshmërisë i mbajtur po këtë muaj. Krahas kësaj, nxënësit kanë thënë se tek administratorët kanë raportuar edhe shumë pyetje të shtruara gabimisht, e gabime teknike. Organizata “ETEA” fajtor e konsideron keqadministrimin e testit nga shteti, si dhe tolerimin e inkurajimin e kopjimeve nga shoqëria
Me kopjime e ankesa për gabime në pyetje është përcjellë edhe Provimi i Maturës, të cilit iu nënshtruan mbi 22 mijë maturantë. Aktive me mesazhe të shumta kanë qenë të shtunën grupet në Facebook e Viber, nëpër të cilat shpërndaheshin pyetje të testeve.
Mbi 9500 anëtarë i ka numëruar grupi i Facebookut “Testi i Maturës 2021-2022” (në kohën sa mbahej provimi) që paraqet mbi 40 për qind të numrit të përgjithshëm të maturantëve, të cilët i janë nënshtruar provimit sivjet. Më të vogla kanë qenë disa grupe në Viber, ndër ta “Testi i Maturës 2022” me mbi 3000 anëtarë e “Testi i Maturës 2022” me mbi 2000 anëtarë. Por gati të pamundur thanë ta kenë pasur kopjimin maturantët e shkollës “Xhevdet Doda” në kryeqytet.
Megjithëkëtë, kanë cekur se tek administratorët i kanë raportuar shumë pyetje që u janë dukur gabim.
Maturantja Erza Sinani ka thënë se te njëra prej pyetjeve kërkohej përgjigje për paragrafin e parë, derisa përgjigjja ishte në të tretin.
“Kopjim s’kemi mundur të bëjmë assesi. Një pyetje ishte gabim, ishte një strofë në gjuhë shqipe që ka qenë me pyetje tjetër, por edhe asaj arritëm t'ia gjejmë përgjigjen”, ka thënë Sinani.
Vërejtje të njëjtë për pyetjet e gjuhës shqipe ka pasur edhe maturanti Milot Bala, që ka hasur te një pyetje që nuk çon te paragrafi i përgjigjes. Sidoqoftë, si shumë nxënës të kësaj shkolle tregon se e kanë gjetur zgjidhjen e problemit.
“Teksti ka qenë në fillim dhe pyetja nuk është përputhur me tekstin. Kanë qenë dy-tri tekste dhe janë ndryshuar pyetjet. Në fillim ishte konfuze, derisa e mësuam se cili tekst shkon me cilën pyetje, por u kalua (mirë)”, ka thënë Bala.
Një maturante tjetër e “Xhevdet Dodës”, Osla Rama, këto i ka quajtur gabime në renditje që i kanë raportuar te administruesit e provimit.
“Te secili grup ose gabime te renditja, ose kemi pasur probleme me paragrafët. Menjëherë i kemi treguar se kemi probleme teknike te testi”, ka thënë Rama.
Por pyetje që i kanë raportuar të gabueshme, sipas nxënësit Nol Ahmedi, ka pasur edhe nga informatika.
“Kam dëgjuar që pyetje të gabuara i kanë raportuar kur kanë qenë përgjigjet shumë të njëjta. Kanë qenë për tik dhe një për matematikë që e kanë raportuar”, është shprehur Ahmedi.
Një nga nxënësit e kësaj shkolle, Melos Kuqi, ka pohuar se zyrtarët janë zotuar se do t’ia përcjellin vërejtjet Ministrisë, në mënyrë që pyetjet e shtruara gabimisht të numërohen në favor të maturantëve. Në klasën ku ka mbajtur testin, sipas Kuqit, kanë dhënë të paktën shtatë vërejtje të tilla.
“Te testi im nga gjuha angleze pati përgjigje të cilat nuk korrespondonin me pyetjen, por në përgjithësi ka qenë i mirë. Po them nga klasa ime, komplet prej katër grupeve, diku së paku shtatë ose tetë pyetje kanë qenë gabim. Na thanë se do të shqyrtohet mundësia se si të mos na shkaktojnë dëm neve gabimet që janë bërë nga Ministria, dhe ato që kanë qenë gabim të shkojnë si pikë për ne”, ka thënë Kuqi.
Lidhur me raportimet për gabime nëpër teste dhe për kopjimet KOHA i ka dërguar pyetje Ministrisë së Arsimit, por përgjigje nuk ka marrë.
Në organizatën joqeveritare “ETEA” kanë thënë se kopjimi është tashmë normë dhe se mësimdhënës, prindër e studentë e perceptojnë atë si ndihmë për nxënësit që hyjnë në Provimin e Maturës e atë të Arritshmërisë.
Sipas drejtorit të kësaj organizate, Agon Ahmeti, fajtorë i kësaj situate është keqadministrimi i testit nga shteti dhe inkurajimi i kopjimeve nga mësimdhënësit, prindërit e në përgjithësi të rriturit.
“Po flasim për një dështim, konsideroj unë, gjithëshoqëror, sepse nëse flasim se aty përfshihen mësimdhënësit, përfshihen prindërit, nxënësit, përfshihen studentët, derisa institucionet i lejojnë e mbi të gjitha po flasim për klasa që kanë rreth 15 nxënës gjatë testimit dhe kanë një ose dy administratorë brenda klasës. Pra, këtu me pak logjikë kuptohet se administratorët e mundësojnë kopjimin, për të mos thënë edhe e inkurajojnë”, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, kur dihet se kopjimi do të jetë masiv, është më mirë që testet të mos mbahen fare, ashtu siç nuk është mbajtur në kohën e masave strikte kufizuese për COVID-19 vitin e kaluar.