Qytetarë të shumtë janë mbledhur të martën para Teatrit Kombëtar të Kosovës në shenjë proteste për rastin e dhunimit të 11-vjeçares nga pesë persona, të shtunën në Prishtinë.
Xheraldina Rexhepi, organizatore e protestës, tha se është e indinjuar “nga ngjarja makabre e dhunimit të 11-vjeçares” dhe se sipas saj, me këtë ngjarje ka dështuar e gjitha shoqëria.
“Edhe ne si shoqëri nuk jemi duke bërë asgjë, nuk mund të presim nga shteti për t’i kryer këto punë, secili prej vetes sonë duhet të fillojë ndryshimin”, tha ajo.
Nga Ferizaj në Prishtinë erdhi për të marrë pjesë në protestë, Shukri Retkoceri.
Ai kërkoi nga krerët e institucioneve të Kosovës për të hetuar gjyqtarët dhe prokurorët se a janë duke kryer punën si duhen në këtë drejtim.
“Ky akt kriminal që ka ndodhur, ata dhunues meritojnë varje këtu përpara bustit të Skënderbeut”, tha ai.
Në protestë nuk morën pjesë krerë institucionalë.
Edhe për të mërkurën është paralajmëruar protestë për të kundërshtuar dhunën ndaj grave, e cila është thirrur nga shoqëria civile.
Dhunimi i 11-vjeçares nga pesë persona që të hënën u raportua, ngjalli reagime të shumta. Për këtë rast tashmë janë arrestuar 4 persona, ndërsa Policia e Kosovës ka deklaruar se personi i pestë është identifikuar, por është ende në arrati. /ksp