Arbëri

Protesta e transportuesve vazhdon, sot mblidhet Kuvendi Komunal

Protesta e transportuesve

Foto: Driton Paçarada

Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme.

Seanca është paralajmëruar të fillojë nga ora 15:00

Kjo seancë është thirrur pas bllokimit prej disa ditësh të transportit publik për shkak të grevës së Trafikut Urban dhe operatorëve privatë që veprojnë në kryeqytet për shkak të problemeve financiare në komunë.

Punëtorët kanë kërkuar zgjidhje të shpejt të problemit, teksa Komuna dhe Qeveria po i hedhin fajin njëra-tjetrës për alokimin e mjeteve të kryeqytetit.

Komuna e Prishtinës ia ka borxh 2.7 milionë euro Trafikut Urban, ka thënë kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje Qëndrim Vitija. Ai ka deklaruar se shumica e të hyrave të ndërmarrjes vijnë nga një marrëveshje me komunën

Vitija ka thënë se ndërmarrja përgjatë 9 muajve të këtij viti ka bilanc pozitiv financiar.

Megjithatë, punëtorët të martën protestuan për të dytën ditë me radhë, për shkak se, siç thanë, nuk i kanë marrë pagat qe shtatë muaj. 

Trafiku Urban të hyrat i gjeneron në dy mënyra. Përmes një Marrëveshje për Shërbime Publike që ka me Komunën e Prishtinës, ku kompensohet për kilometrat e kaluara gjatë bartjes së udhëtarëve, e gjithashtu arkëton mjete edhe nga shitja e biletave.

Vitija tha se nga janari në tetor ndërmarrja ka të hyra 7,370,734 euro ndërsa shpenzime 7,089,610 euro. Bazuar në këtë, ajo ka bilanc pozitiv duke e llogaritur edhe borxhin prej 2.7 milionë euro që tha se komuna ia ka ndërmarrjes.

Nga tetori, muaj kur u organizuan zgjedhjet lokale, përmes një vendimi kryetari Përparim Rama liroi nga pagesa për biletë punonjësit shëndetësorë të institucioneve të kryeqytetit, stafin arsimor dhe ata të administratës së kryeqytetit. Gjithashtu nga pagesa u liruan nxënësit dhe studentët.