Transportuesit urbanë kanë vazhduar protestën për ditën e tretë me radhë. Në rrugët e kryeqytetit janë parkuar autobusët e transportuesve të “Trafikut Urban” por edhe të linjave private që qarkullojnë në Prishtinë, duke shkaktuar kolona të mëdha.
Përfaqësuesi i punëtorëve të “Trafikut Urban”, Ilmi Gashi, ka thënë se shpresën e kanë te mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës që është thirrur për të enjten.
Ai nga objekti i Komunës së Prishtinës, ku janë mbledhur transportuesit, ka thënë që përmes protestës kërkojnë pagën e tyre, që është e drejtë elementare.
“Këto kushte në të cilat po ndodhemi, jo me dëshirën tonë, po me imponimet për borxhet që na kanë ndërpre karburantin...Nëse nuk ka zgjidhej nesër greva vazhdon deri në alokimin e mjeteve që është ndaj operatorëve. Në po shpresojmë që nesër do të mbarojë, po shpresojmë që në këtë mbledhje do të mbizotëroj arsyeja. Unë nuk kam informacione pse nesër është mbledhje legjitime është e thirrur, ata që e shpallin jolegjitime janë instancat tjera prapa saj se për t’u mbajt mbledhja do të funksionojë dhe besoj që do të bëhet votimi në Asamble. Do të dërgohet në ministri dhe ministri do t’i alokojë mjetet. Besojmë edhe shpresojmë”, tha ai, raporton "Ekonomia Online".
Nga e hëna kryeqyteti nuk ka qarkullim të autobusëve, e kjo u bë siç kanë thënë për shkak të mungesës së pagës dhe karburanteve.










