Ngritja e aktakuzës në aferën “Pronto” është rast që dëshmon se Prokuroria e Shtetit po vepron në mënyrë selektive.
Kështu vlerëson shoqëria civile, ku, sipas tyre, nuk ka qenë qëllimi që të ndiqen penalisht të përfshirit në këtë rast, por vetëm të lihet përshtypje në publik dhe para ndërkombëtarëve, që Kosova po e lufton korrupsionin e krimin e organizuar, raporton KTV.
Pothuajse shtatë vjet pasi dolën për herë të parë përgjimet në aferën “Pronto”, Prokuroria ngriti aktakuzë për 11 persona në këtë rast, përfshirë edhe protagonistin kryesor, Adem Grabovci.
Ata akuzohen për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.
Por, për shoqërinë civile, ngritja e kësaj aktakuze ka ndodhur vetëm sa për të krijuar spektakël dhe dëshmon për joseriozitetin e punës së Prokurorisë.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se përgjimet nuk janë trajtuar në kohën kur do të mund të prodhonin pasoja juridike.
Miftaraj ka thënë se ngritja e aktakuzës është përpjekje për të mashtruar opinionin publik.
Edhe
Lirohen të akuzuarit e rastit “Pronto” pasi nuk u provua se kryen vepër penale
Prokuroria e Shtetit ndaj të përfshirëve në këto përgjime kishte nisur hetimet në vitin 2016 për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrim ndikimi.
Por, të dyja këto vepra janë parashkruar, e të cilat, sipas Kodit të vjetër Penal, kanë qenë të dënueshme deri në 3 vjet, ndërsa në Kodin e ri janë të dënueshme me 5, respektivisht 8 vjet.
Ndërkohë, përveç Grabovcit, të akuzuar janë edhe 10 persona të tjerë, përfshirë Besim Beqajn, ministër i PDK-së, Zenun Pajazitin, deputet i PDK-së, dhe ish-zyrtarë të lartë të ministrive e institucioneve të ndryshme.