Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prokuroria: Kompetente për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar mbi rrjedhën e ngjarjeve lidhur me gruan që u vra mbrëmë në oborrin e QKUK-së e që ishte edhe shtatzënë.

Prokuroria thotë se me datë 20.07.2022, ka pranuar kallëzim penal kundër S.H, nga komuna e Shtimes, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer vepër penale "Dhuna në familje”, dhe me 09.08.2022 ka intervistuar të dëmtuarën H.M, dhe ka udhëzuar palën e dëmtuar në prezencë të mbrojtësit të viktimave nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që të bëjë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për marrjen e urdhrit mbrojtës.

Ndërsa, një ditë më vonë, përkatësisht me datën 10.08.2022, prokurori i çështjes ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.H, për veprën penale “Kanosja”, njoftoi prokuroria.

Gjykata Themelore në Ferizaj më pas, ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtjen. Prokuroria thekson se kompetent për zbatimin e urdhrit është Policia e Kosovës.

“Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”.