Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prokuroria fton dy zyrtarë të LVV-së për intervistim, ata e akuzojnë për përndjekje

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Arlind Manxhuka dhe aktivisti i kësaj partie Egzon Azemi kanë njoftuar se janë ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale lidhur me deklaratat e tyre për rastin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës Dejan Pantiq, i cili dyshohej për “terrorizëm në bashkëkryerje”.

Manxhuka ka akuzuar Prokurorinë për përndjekje të aktivistëve të partisë në pushtet, derisa ka thënë se nuk janë marr me denoncimet që kanë bërë ministritë e Qeverisë aktuale.

“Rreth 250 denoncime të shkeljeve e proceseve korruptive janë bërë nga ana e ministrive përgjatë kësaj kohe të qeverisjes. Veprimet e prokurorisë jo që ishin të mangëta, por shpeshherë rrëzuan raste me situatë të qartë. Por, Prokuroria Speciale nuk është se ishte pasive, përkundrazi ajo është më aktive se kurrë në përndjekje të qytetarëve me prefixin VV. Pra, ky është keyëordi (fjalë kyçe v.j) që i bënë përshtypje kësaj Prokurorie. Në këtë linjë, për nesër jam ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale, në lidhje me reagimin tim në rastin e lirimit të kriminelit/terrorist Dejan Pantiq. Detajet besoj do t’mi jep nesër prokurorja”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.

Ai ka thënë se i plotëson “të gjitha kushtet për të marrë ftesë nga Prokuroria”.

“Unë i plotësoj të gjitha kushtet për të marrë ftesë nga Prokuroria si për nga prefixi ashtu edhe nga keyëordi, por kjo përpjekje e nomenklaturës së moçme si në politikë ashtu edhe në Prokurori për të frikësuar qytetarin e Kosovës, aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje është dëshmuar të jetë e kotë. Nuk do të ja dalin”, ka shkruar Manxhuka.

Edhe Azemi ka thënë se është ftuar nga Prokuroria të merret në pyetje, për siç ka thënë “kinse për reagimin tim në rastin e lirimit të kriminelit serb Dejan Pantiq”.

Edhe Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të LVV-së për deklaratat e tyre lidhur me lirimin e Pantiqit Arbëri Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të LVV-së për deklaratat e tyre lidhur me lirimin e Pantiqit

“Nga një postim i imi demek qenka ndjerë i kërcënuar ndonjë prokuror apo gjyqtar. Dhe pse s'kishe lidhje më të. Unë nuk kërcënoj. As nuk nxis. Unë vetëm kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj drejtësi. Të plotë. Jo selektive. Dhe njësoj do vazhdoj. Kjo Prokurori që është e kapur thuajse fund e krye, saherë shkruaj diçka rreth tyre e gjejnë një vegzë e ngrisin një rast. Herë për protestat e 2015-16 e këtë herë për një reagim në Facebook. Po, nesër do të shkoj veç të ju them që ne as nuk kërcënojmë e as nuk frikësohemi. Do qëndrojmë drejtë e pa e thyer kurrizin as përballë kriminelëve serbë, as para mafisë milardere e as para prokurorëve të kapur”, ka shkruar Azemi.