Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prokuroria ende s’ka nisur asnjë hetim për keqmenaxhim të parasë publike

Janë me qindra shkelje ligjesh e keqpërdorime të parasë publike që u bënë nga institucionet e shtetit, e të cilat po vazhdojnë të publikohen si gjetje të Auditorit të Përgjithshëm.

Në pothuajse të gjitha institucionet që shfrytëzojnë paranë publike, auditori gjeti shkelje të ligjit gjatë prokurimit. Kompanitë e papërgjegjshme u shpërblyen me kontrata, ministrat paguanin këshilltarët nga linjat e tjera buxhetore, e miliona euro janë keqmenaxhuar, raporton KTV.

Keqpërdorim i veturave, pronës, subvencioneve, vendeve të punës... avancime të paligjshme, punësime me kontratë mbi vepër, mungesë e raportimeve të rregullta nga ambasadat, ishin disa nga konstatimet e Auditorit të Përgjithshëm.
 

Pavarësisht se Auditori çdo vit gjen të njëjtat shkelje, institucionet shtetërore nuk morën për bazë rekomandimet, e si rrjedhojë as nuk u përmirësuan.

Kohavisioni, duke shfrytëzuar Ligjin për qasje në dokumente zyrtare, që nga data 20 qershor ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të na bëjë publike nëse kanë nisur procedurat e ndjekjes për ndonjë nga zyrtarët e këtyre institucioneve, ku janë gjetur këto shkelje.

Por, as sot kur kanë kaluar 13 ditë nga kërkesa zyrtare, KTV-ja nuk ka marrë përgjigjen e kërkuar.
 

Edhe Prokuroria ende s’ka nisur asnjë hetim për keqmenaxhim të parasë publike Video Prokuroria ende s’ka nisur asnjë hetim për keqmenaxhim të parasë publike

Shoqëria Civile nuk shpreson që prokuroria të zbardhë të vërtetën për shkeljet ligjore, meqë kredibilitieti i saj lë shumë për të dëshiruar.

Ndryshe, në fund të vitit të kaluar Prokuroria i kishte hetuar raportet e komunave Prizren, Pejë dhe Gjilan, por në mungesë provash ka mbyllur hetimet.

Në anën tjetër, Zyra e Auditorit, ndonëse nuk ka dashur të prononcohet për KTV-në, vetëm nëpërmjet telefonit ka thënë se të gjitha raportet u janë dërguar entiteteve që kanë qenë subjekt i auditimit dhe se fjala e auditorit është dhënë nëpërmjet këtyre raporteve.